Ky është gjykatësi 92 vjeç që do të mbikëqyrë paraqitjen e parë të Maduros në gjykatë
Çështja e bujshme ndaj Nicolás Maduros i është caktuar gjykatësit federal Alvin K. Hellerstein, 92 vjeç, i cili është emëruar dhe konfirmuar në këtë pozitë nga ish-presidenti amerikan Bill Clinton në vitin 1998.
Hellerstein shërben si gjykatës i lartë që nga viti 2011 në Distriktin Jugor të Nju Jorkut dhe ka drejtuar çështje që lidhen me sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, si dhe raste të tjera që kanë të bëjnë me terrorizmin dhe sigurinë kombëtare, raporton CNN.
Gjatë verës, ish-gjenerali dhe shefi i inteligjencës venezueliane Hugo Carvajal Barrios u deklarua fajtor para gjykatësit Hellerstein për akuza që lidhen me narko-terrorizëm dhe trafik droge.
Hellerstein ka qenë gjithashtu në qendër të vëmendjes mediatike vitet e fundit, kur refuzoi kërkesat e Donald Trumpit për ta transferuar në gjykatë federale çështjen penale që lidhej me pagesat për heshtje. Ai vlerësoi se rimbursimi i Trumpit ndaj Michael Cohenit, i cili kishte ndërmjetësuar pagesat për aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels, nuk përbënte veprim zyrtar të lidhur me presidencën. Trump vazhdon ta kundërshtojë këtë vendim.
Në pranverë, Hellerstein nxori një vendim që ndalonte administratën Trump të përdorte Ligjin për Armiqtë e Huaj (Alien Enemies Act) për të deportuar venezuelianë, duke kritikuar administratën për dërgimin e personave në një burg të huaj “me shpresë shumë të vogël për proces ligjor ose kthim”.



