Kylian Mbappé në pikëpyetje për ndeshjen e Real Madridit kundër Real Sociedadit
Real Madrid mund të përballet me një mungesë të madhe në sfidën e së shtunës mbrëma ndaj Real Sociedadit në “Santiago Bernabéu” (21:00 CEST), pasi Kylian Mbappé është në dyshim për këtë takim të rëndësishëm në garën për kreun e La Ligës.
Sulmuesi francez ka qëndruar për të dytën ditë radhazi në palestër, duke ndjekur një program individual për shkak të shqetësimeve në gjurin e majtë, i njëjti problem që e mbajti jashtë dy ndeshjeve në fillim të janarit. Vendimi përfundimtar për aktivizimin e tij pritet të merret të premten, ndërsa stafi mjekësor po bën maksimumin që ta ketë gati për përballjen kundër baskëve.
Ndërkohë, lajmet janë më pozitive për Vinicius Junior, i cili rikthehet pas pezullimit dhe pritet të jetë titullar, duke i dhënë më shumë forcë repartit ofensiv. Antonio Rüdiger është drejt rikthimit dhe synon të jetë në formë optimale për ndeshjen e Champions League ndaj Benficës javën e ardhshme, ndërsa Raul Asencio mungoi në stërvitje për shkak të një ftohjeje, por pritet të rikuperohet në kohë.
Në krahun e djathtë të mbrojtjes situata mbetet interesante, pasi David Jimenez bëri një paraqitje të mirë ndaj Valencias, Dani Carvajal kërkon më shumë minuta, ndërsa Trent Alexander-Arnold pritet të marrë më shumë hapësirë loje për të qenë gati edhe për sfidën europiane.
Me shumë pikëpyetje në formacion dhe me sytë te gjendja e Mbappé, Reali hyn në këtë duel me presionin për të marrë tri pikët dhe për të ushtruar presion maksimal mbi Barcelonën në renditje.



