Laboratori kosovar që po prodhon “pozitivët” e koronavirusit: Periskopi dëshmon operimin pa leje

Laboratori kosovar që po prodhon “pozitivët” e koronavirusit: Periskopi dëshmon operimin pa leje

Që nga data 13 mars, kur në Kosovë u raportuan dy rastet e para të prekura nga virusi COVID-19 e deri më tani, të gjitha testet është menduar se janë kryer në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK).

Qytetarët të cilët kanë shfaqur simptoma të virusit, i janë nënshtruar testit në këtë Institut i cili është i vetmi në Kosovë ku mund të kryehn testet e aprovuara nga OBSh për COVID-19.

Por, edhe një laborator privat që quhet ‘’AVICENA.Ks’’ po kryen teste të tilla.

Shumë qytetarë i janë drejtuar këtij laboratori e disa të tjerë edhe i kanë rekomanduar që të shkojnë aty për ta kryer testin për koronavirus.

Periskopi ka kontaktuar këtë laborator në njërin prej numrave kontaktues të ekspozuar në web-faqen e tyre.

Në bisedë, punëtorja e këtij laboratori e pohon se mund të kryhet një test i tillë në ambientet e ‘’Avicena Ks’’ por që nuk mund ta lëshojë një dokument ku pacienti mund t’i sheh rezultatet.

Biseda:

Gazetarja: Jam e interesume me bo një test për COVID-19, se po dyshoj që e kam.

Punëtorja e Avicena.Ks: A e ki veç për me hek merakun?

Gazetarja: Po. A e bëni këtë test ju?

Punëtorja e Avicena.Ks:  Po e bëjmë, por letër nuk mundem me të dhanë. Rezultatin ta kumtojmë përmes telefonit dhe rezultati del brenda 20-30 minutave.

Gazetarja: Sa kushton?

Punëtorja e Avicena.KS: 50 euro kushton.

Muaj më parë, ky test në këtë laborator kushtonte 20 euro, por më vonë çmimi u rrit në 50 euro.

Ky laborator kishte dhënë një lajmërim për të gjithë pacientët se testet për COVID-19 janë pezulluar përkohësisht derisa të merr një vendim Ministria e Shëndetësisë.

Ndërsa, nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, thonë se ky laborator nuk ka leje për këtë veprimtari kjo pasi Bordi për Licencimin e Institucioneve private shëndetësore në konlustim me ekspertë të fushës dhe duke u bazuar në rekomandimet e OBSH-së kanë ardhë në përfundim se një test i tillë mund të kryhet vetëm në institucionet kërkimore-shkencore.

‘’Ministria e Shëndetësisë ka adresuar kërkesën e Laboratorit Mjekësor Biokimik-Hematologjik & Laboratorit i Mikrobiologjisë Klinike “ AVICENA-KS “ në Bordin për Licencimin e Institucioneve private shëndetësore për shqyrtim. Bordi pas shqyrtimit të kërkesës për përdorimin e testeve rapide për COVID 19, ka kërkuar mendime profesionale nga ekspert të fushave përkatëse lidhur me këtë çështje. Ekspertët e  fushës përkatëse kanë njoftuar Bordin për licencimin e institucioneve private shëndetësore lidhur me  rekomandimet e dhëna nga Organizata Botërore  Shëndetësisë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë është rekomanduar përdorimi i testeve të reja imunodiagnostike në pikat e kujdesit shëndetësor vetëm në institucionet kërkimore-shkencore dhe ato nuk duhet të përdoren në ndonjë institucion tjetër, as për vendimmarrje klinike, deri sa të ketë dëshmi shkencore që mbështesin përdorimin për indikacione specifike’’, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Periskopin.

Tutje, theksojnë se në rast se Inspektorati Shëndetësor gjen fakte se ky laborator punon në kundërshtim me vendimin e MSH-së, atëherë do të ndërmerren masa sipas ligjit në fuqi.

‘’Nëse Inspektorati Shëndetësor vërteton se përkundër këtij vendimi të MSH, laboratori në fjalë ka kryer teste në kundërshtim me vendimin, ndaj tij do të ndërmarren  masa sipas ligjeve në fuqi’’, thuhet në përgjigje.

Kujtojmë se në Ligjin për Shëndetësi, veprimtaria private në sektorin e shëndetësisë nuk u lejohet veprimtaria në lëminë e epidemilogjisë (përveç dezinfektimit, dezinsektimit, dhe deratizimit parandalues), ekologjia humane, dhe mikrobiologjia e mjedisit./PERISKOPI/

Shpërndaje në: