Lajmi më i ri për shkarkimin e Conte-s
Chelsea humbi mbrëmë 4-1 ndaj skuadrës së Watford si mysafir. Kjo ishte humbja e dytë turpëruese me tre gola disavantazh brenda një jave. Ata humbën në shtëpi ndaj skuadrës së Bournemouth me rezultat 3-0.
Por, megjithatë Conte raportohet se nuk do të shkarkohet nga Chelesa – raporton BBC, përcjell Periskopi.
Çështja e tij nuk u diskutua nga bordi pas ndeshjes. Shkaku për një gjë të tillë, është se Chelsea ndodhet brenda top katërshit dhe është ende në garë në Champions League dhe në kupën FA.
Edhe kapiteni i skuadrës Gary Cahill i ka dalë në mbrojtje italianit që po kritikohet nga mediet. Ai ka thënë se përgjegjësinë për humbjen në fjalë e mbajnë edhe lojtarët, dhe jo vetëm trajneri. Ndërkohë ka shtuar se ai deri më tash ka bërë punë të pabesueshme në rolin e tij si trajner.
Në 10 ndeshjet e fundit blutë e Londrës kanë fituar vetëm 2 herë. Dhe kjo natyrisht që është zhgënjyese marrë parasysh shumat e larta të investuara në skuadër.
Cahill ka thënë se lojtarët duhet të përqendrohen dhe se këto gjëra ndodhin. Poashtu edhe Thibaut Courtois i ka dhënë mbështetje trajnerit të tij, duke thënë se dy rezultate të këqija nuk nënkuptojnë një punë të keqe.
Por, në fakt, taktika e Conte-s 3-4-3 e cila e bëri Chelsea-n kampion vitin e kaluar është lexuar mirë nga skuadrat angleze dhe nuk po jep rezultate më. Arsenali e kishta adaptuar atë taktikë vitin e kaluar, por tashmë edhe Wenger ka ndërruar mendje duke përdorur taktikën e vjetër 4-2-3-1.
Ndërkaq Conte si trajner e ka përdorur kryesisht vetëm atë taktikë, madje edhe sa ishte trajner i Kombëtares së Italisë. /BBC / PERISKOPI



