Lamtumirë De Biasi?

Lamtumirë De Biasi?

Në një koment të bërë për gazetën, ai thotë se kuqezinjtë janë në një moment kritik i cili mund të kalohet vetëm pasi të qartësohet situata e trajnerit.

Komenti“Kombëtarja shqiptare nuk është më si më parë. Ka ndryshuar jo vetëm rendimenti, por edhe sjellja e saj në fushë.

Ka ndryshuar raporti i De Biasit me zyrtarët e FSHF-së, rrjedhimisht edhe këndvështrimet sesi trajneri dhe FSHF e shohin tani të ardhmen.

Janë diametralisht kundër, por e gjitha në dëm të Kombëtares.De Biazi ndihet vetëm, i sulmuar dhe pret ditët që të mbarojë kontrata, ndërsa Duka pret që ai të japë dorëheqjen.

Por, ka disa faktorë pse mbërritëm deri këtu, që nisin me mungesën e eksperiencës për të menaxhuar suksese të mëdha, si dhe probleme të brendshme e të vazhdueshme që i kemi ves jo vetëm në futboll, por edhe në aspekte të tjera të jetës.

De Biazi nisi të pranojë pa kurrfarë druajtje pas Europianit se po filtronte me Italinë, Ukrainën dhe klube të ndryshme.

Nga ana tjetër, FSHF bënte sikur nuk dëgjonte dhe së fundmi, kur De Biasi bëri një provokim në mediat përtej Adriatikut se aventura me kuqezinjtë ishte drejt fundit, Duka iu përgjigj gati me tallje: “Do ta lidhim nga brekët të mos ikë nëse na çon në Botëror”.

Kjo batutë para ndeshjeve me Italinë dhe Bosnjën, vërtetoi edhe njëherë se raporti mes tyre është dukshëm artificial dhe i lidhur vetëm me termat financiarë të kontratës. Në këtë rast, është federata ajo që ka shfaqur mungesë vizioni dhe përgjegjësie.

Nuk mund të pritet asgjë nga një trajner pa motivimin e duhur dhe pa mbështetjen e duhur. Ndaj, në pikën ku jemi, ka vetëm dy zgjidhje: ta shkarkojë De Biazin ose t’i rinovojë kontratën për të nisur punën me një projekt konkret për Europianin e ardhshëm.”

Shpërndaje në: