Lando Norris fiton titullin e parë në Formula 1
Lando Norris është shpallur kampion i botës pasi e mbylli në vendin e tretë garën finale të sezonit të dielën në Abu Dhabi.
Norris duhej vetëm të përfundonte në top-treshen e pistës Yas Marina për t’u bërë britaniku i 11-të që fiton kurorën dhe ai e realizoi këtë me një paraqitje mbresëlënëse – e cila madje e pa të hetohej nga komisarët e garës për daljen jashtë pistës kur kaloi Yuki Tsunodën, shokun e skuadrës së Max Verstappen te Red Bull.
Norris shpëtoi pa u ndëshkuar edhe pse Max Verstappen e fitoi garën nga “pole position” – duke e mbyllur sezonin me më shumë fitore se çdo pilot tjetër – kjo nuk mjaftoi për të ndalur marshimin e rivalit të tij të McLaren drejt titullit. Verstappen kaloi vijën e finishit 12.5 sekonda para Oscar Piastrit, ndërsa Norris ishte 3.9 sekonda pas shokut të skuadrës dhe 6.7 sekonda para Charles Leclerc në vendin e katërt.
Norris, 26 vjeç, nuk u lëkund nga nisja agresive e Verstappenit, i cili e ktheu makinën majtas për t’i prerë rrugën rivalit të tij. Holandezi kryesoi, ndërsa Norris mbeti i dyti dhe Piastri i treti. Megjithatë, britaniku humbi një pozitë në xhiron e parë, kur Piastri kaloi nga ana e jashtme në kthesën e nëntë.
Verstappen udhëhoqi kolonën para Piastrit dhe Norrisit, përpara se ky i fundit të ndërronte gomat në xhiron e 16-të.
Më pas erdhi sfida më e vështirë: Tsunoda, i cili u përdor nga Red Bull për t’i prishur ritmin Norrisit.
Në radio u dëgjua mesazhi drejtuar Tsunodës: “Nëse të kap, bëj maksimumin”. Tsunoda u përgjigj: “E di çfarë duhet të bëj, lëreni mua.”
Momenti solli kujtime nga finalja kontroverse e vitit 2021, kur Sergio Perez mori epitetin “Ministri i Mbrojtjes së Meksikës” pasi mbajti pas vetes Leëis Hamilton për disa xhiro.
Sidoqoftë, në fund – Norris arriti ta siguronte vendin e tretë për ta marrë për herë të parë epitetin e kampionit të botës./Periskopi/



