Lani rrobat në këtë cikël nëse nuk dëshironi që t’ju hiqet ngjyra
Larja e rrobave duhet t’u japë atyre jetë të re dhe t’i pastrojë nga njollat dhe aromat.
Por, ndonjëherë rrobat tona të preferuara dalin nga makina e larjes të shpërfytyruara, të dëmtuara ose të deformuara.
Përdorimi i makinës së larjes mund t’i dëmtojë rrobat dhe të shkaktojë lirimin e mikrofibrave në ujë, gjë që i bën rrobat të vjetërohen më shpejt dhe materialet të dobësohen.
Megjithatë, disa ndryshime të thjeshta në mënyrën si e përdorni makinën mund t’i ndihmojnë rrobat të zgjasin shumë më shumë.
Shkencëtarët testuan cikle të ndryshme larjeje me disa bluza për të parë se cili ishte më i miri. Ekspertët nga Universiteti i Leeds-it mblodhën ujin nga çdo larje, ku përfshiheshin ngjyra dhe materiale të ndryshme. Ata zbuluan se mënyra më e mirë për të shmangur zbehjen e ngjyrave është përdorimi i një cikli më të shkurtër, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.
“Vërehet shumë më shumë humbje ngjyre te cikli 40°C Cotton Short (85 min) krahasuar me ciklin Cold Express (30 min). Këto të dhëna tregojnë se në praktikë të zakonshme, rritja e kohës dhe temperaturës së larjes sjell humbje më të madhe ngjyre”, thanë ekspertët.
Studiuesit hetuan edhe pse bluzat kalojnë nga nuanca e ndritshme në gri, të shuar dhe të zbehur. Përsëri, ata gjetën se sa më e lartë temperatura dhe sa më i gjatë cikli, aq më shumë mikrofibrat lirohen dhe aq më shumë dëmtohen rrobat.
“Duke parë transferimin e ngjyrës pas larjeve të shumta, te shumica e materialeve të bardha u vërejt shumë më tepër kalim ngjyre nga cikli 40°C Cotton Short (85 min) krahasuar me Cold Express (30 min). Kjo tregon se rritja e kohës dhe temperaturës rrit edhe transferimin e bojës”, theksuan ata.
Në përfundim, ekspertët këshillojnë që larja më e mirë për rrobat është e butë, e shkurtër dhe me ujë të ftohtë. Ulja e kohës dhe temperaturës zvogëlon sasinë e mikrofibrave që lëshohen dhe mbron rrobat.Vendoseni makinën e larjes në një cikël të shpejtë dhe me ujë të ftohtë për t’i mbrojtur rrobat dhe për t’i mbajtur të reja për më gjatë./Periskopi/



