Latifi: Krizat e sotme politike në vend vijnë nga rënia e dy konsensuseve themelore
Analisti politik Blerim Latifi ka vlerësuar se çlirimi dhe pavarësia e Kosovës ishin rezultat i “dy konsensuseve vendimtare: konsensusit brenda Perëndimit dhe konsensusit tonë të brendshëm politik”.
Sipas tij, krizat e thella me të cilat përballet vendi sot burojnë pikërisht nga fakti se këto dy baza nuk funksionojnë më.
Latifi theksoi se Friedrich Merz ka deklaruar se epoka e Pax Americana në Evropë ka marrë fund dhe se Shtetet e Bashkuara po tërhiqen gradualisht nga kontinenti. Sipas tij, ky zhvillim e cenon drejtpërdrejt funksionalitetin dhe efektivitetin e NATO-s. “Pasojat për ne janë të qarta dhe potencialisht dramatike”, ka paralajmëruar ai.
Analisti shtoi se vëmendja politike mbetet e përqendruar në përplasjet partiake dhe betejat afatshkurtra për dominim, ndërkohë që mungon pothuajse tërësisht një horizont strategjik.
“Në histori, si atëherë ashtu edhe sot, nuk falen ata që ngatërrojnë dëshirat me realitetin”, ka përfunduar Latifi./Periskopi/



