LDK propozon rezolutë në Kuvend: Të ulen akciza dhe TVSH-ja për naftën

LDK propozon rezolutë në Kuvend: Të ulen akciza dhe TVSH-ja për naftën

Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar projekt-rezolutë përmes së cilës i kërkon Qeverisë së Kosovës që urgjentisht të marrë masa për çmimet e derivateve të naftës.

Përmes projekt-rezolutës së prezantuar në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të premten, LDK kërkon nga ekzekutivi që të ulen përkohësisht akciza dhe TVSH-ja e naftës.

Rezolutën e prezantoi shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu.

Ajo tha se projekt-rezoluta ka përkrahjen e dy grupeve parlamentare të opozitës.

“Kuvendi kërkon nga Qeveria: Uljen e përkohshme të akcizës nga 36 cent në litër, në 20 cent në litër me afat të përkohshëm deri në stabilizimin e çmimeve në bursën ndërkombëtare”, e prezantoi ajo projekt-rezolutën.

Pika 2 e projekt-rezolutës kërkon që qeveria të marrë vendim për uljen e TVSH-së në naftë nga 18% në 8% deri në stabilizim të çmimeve.

Po ashtu, rezoluta kërkon nga qeveria që të gjejë “urgjentisht forma për subvencionimin e çmimit të naftës” për sektorët më të ndjeshëm: bujqit, transportin publik dhe prodhuesin vendor.

Shpërndaje në: