Legjenda e Baselit: Xherdani e Graniti në të njëjtin nivel, në pesë më të mirët që ka pasur Zvicra

Legjenda e Baselit: Xherdani e Graniti në të njëjtin nivel, në pesë më të mirët që ka pasur Zvicra

Marco Streller është legjendë e Baselit. Ai ka luajtur gjatë si sulmues për skuadrën e madhe zvicerane. Më pas kishte edhe rol drejtues, por tashmë nuk është më i përfshirë.

Dhe ajo që po e bën aktualisht Xherdan Shaqiri te Baseli ka impresionuar Strellerin.

Shaqiri po shkëlqen dhe po e udhëheq Baselin drejt titullit të kampionit të Zvicrës.

Streller e ka quajtur “mjeshtër” Shaqirin. Ka folur për euforinë që solli Shaqiri me ardhjen te Baseli. Ka thënë se Shaqiri meriton respektin më të madh për mënyrën se si i reziston presionit dhe si i tejkalon pritjet.

“Shaqa është nga figurat lokale me të cilat njerëzit mund të identifikohen menjëherë. Pa dashur të zvogëloj meritat e të tjerëve, ajo që po ndodh tani te Baseli ka shumë të bëjë me Xherdanin”, ka thënë Streller për “Blick”, raporton Koha, transmeton Periskopi.

Shaqiri është rritur te Baseli, ndërsa sipas Strellerit, ai motivohet nga “ndjenja e shtëpisë”.

“Është ndryshe kur vesh këtë fanellë dhe ke rrënjët nga këtu. E ndien përgjegjësinë, pritjet, por edhe dashurinë e atyre që të rrethojnë. Të drejtosh ekipin si kapiten është roli më i madh. Shaqa tani e ka këtë status te Baseli”.

Streller është pyetur se ku e sheh Shaqirin në “fotografinë e madhe” të futbollit të Zvicrës.

“Xherdani e Graniti (Xhaka) janë në të njëjtin nivel. Janë në mesin e pesë futbollistëve më të mirë që ka pasur Zvicra ndonjëherë. Graniti ishte kapiten natyral qëkur e kam shikuar herën e parë. Së pari e pashë atë. Xherdani është lojtar tjetër, gjithnjë i etur për spektakël. Fëmijët e duan atë, duan të jenë si ai. Është si Pedri apo Yamali te Barcelona. Njëri është strateg brilant, tjetri argëtues i jashtëzakonshëm. Shaqiri është lojtar i spektaklit, lojtar që bën dallimin”, ka vazhduar Streller, që i ka 37 ndeshje e 12 gola për Zvicrën.

Strellerin më së shumti e kanë befasuar aftësitë prej lideri të Shaqirit. Ka thënë se Shaqiri është lokomotiva e ekipit. Sipas Strellerit, ndonjëherë duket që Shaqiri e mban gjithë përgjegjësinë e skuadrës. Në të kaluarën te Baseli përgjegjësia është ndarë nga më shumë lojtarë.

33-vjeçarin Shaqiri për të arritur këtë e ndihmon sjellja e relaksuar, thotë Streller. Dhe kjo po i mundëson që të paraqitet në nivel shumë të lartë.

Shaqiri i ka 15 gola e 20 asistime në 30 paraqitje kampionale./Periskopi/

Shpërndaje në: