Lidhja e Prishtinës siguron katër ulëse në Kuvendin Komunal të Prishtinës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve lokale të mbajtura më 9 tetor 2025 në Prishtinë. Sipas rezultateve përfundimtare, subjekti qytetar Lidhja e Prishtinës do të përfaqësohet me katër asambleistë në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Në përbërjen e re të Kuvendit, Lidhja e Prishtinës do të ketë si përfaqësues:
Fehmi Kupina
Betim Abdullahu
Arbenita Murseli Haxholli
Teuta Kadiu Gjinolli
Ky rezultat është vlerësuar nga vetë Lidhja e Prishtinës si një arritje domethënëse për një listë qytetare të pavarur, e cila gjatë gjithë fushatës u mbështet në integritet, transparencë dhe pjesëmarrje qytetare.
Në reagimin e saj pas certifikimit të rezultateve, Lidhja e Prishtinës ka falënderuar të gjithë kandidatët e listës, mbështetësit, aktivistët dhe vullnetarët për angazhimin dhe kontributin e dhënë gjatë procesit zgjedhor.
Po ashtu, në njoftim thuhet se mirënjohje e veçantë u shprehet qytetarëve të Prishtinës për besimin e dhënë, duke theksuar se ky rezultat i obligon përfaqësuesit e saj që të veprojnë me profesionalizëm, integritet dhe transparencë në shërbim të interesit publik.



