Lirimi skandaloz i Enver Sekiraqës nga gjyqtarët e EULEX-it
Dy gjyqtarë të EULEX’it dhe një vendës, kanë marrë dje një vendim të çuditshëm dhe sipas të gjitha gjasave antiligjor për lirimin e Enver Sekiraqës- një figurë me emër të keq në kryeqytet, i dënuar me 37 vjet burg për shkak se kishte nxitur vrasjen e policit Triumf Riza. Masa e paraburgimit, i është zëvendësuar me arrest shtëpiak. Vendimi për lirimin e Sekiraqës ka ndodhur pavarësisht se vet Apeli në vitin 2016, në rastin e Oliver Ivanovic, kishte konstatuar se masa e paraburgimit është e detyrueshme sa herë që i pandehuri dënohet me dënim më shumë se 5 vjet burg.
Oliver Ivanovic në janar të 2016 ishte dënuar me 9 vite burgim për krime lufte. Megjithëkëtë aktgjykim dënues të Gjykatës Themelore te Mitrovicës ndaj politikanit serb fillimisht u caktua masa e arrestit shtëpiak nga trupi gjykues i EULEX-it.
Vetëm një javë pas këtij aktgjykimi, Gjykata e Apelit të Kosovës e ktheu Ivanovicin në paraburgim duke konstatuar se trupi gjykues i Gjykatës Themelore të Mitrovicës, i kryesuar nga një gjyqtare e EULEX-it, kanë caktuar gabimisht masën e arrestit shtëpiak ndaj të dënuarit.
Apeli u thirr në paragrafin e dytë të nenit 367 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, që specifikon se masa e paraburgimit është e detyrueshme sa herë që i pandehuri dënohet me më shumë sesa pesë vjet burgim.
“Gjykata e Apelit ka konstatuar se masa në fjalë e arrestit shtëpiak është caktuar gabimisht. Sipas interpretimit të saktë të nenit 367, par. 2 të KPP-së, masa e paraburgimit është e detyrueshme sa herë që i pandehuri dënohet me më shumë sesa pesë vjet burgim. Nuk ka diskrecion këtë drejtim, prandaj Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore ashtu që masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit Oliver Ivanovic e ka zëvendësuar me masën e paraburgimit, derisa aktgjykimi në fjalë të marrë formë të prerë”, kishte vendosur Apeli në aktvendimin e saj të datës 27 janar 2016, ndaj Ivanovicit.
Gati dy vjet pas, e njëjta gjykatë ka nxjerrë një vendim që, po ashtu sikurse ai për lirimin e Ivanovcit nga paraburgimi, ka nxitur reagimin e njohësve të ligjit, por edhe politikes dhe shoqërisë civile.
Apeli të enjten ka liruar nga paraburgimi të dënuarin me 37 vite burgim, Enver Sekiraqen, për nxitjen e vrasjes së policit Triumf Riza në vitin 2007.
Dënimi ndaj Sekiraqes, ashtu sikurse i Ivanovicit kalon mbi 5 vite burgim. Në rastin Sekiraqa është Gjykata e Apelit ajo që po shkel ligjin që në janar të 2016 tha se e shkeli Gjykata Themelore e Mitrovicës.
Shkelja më saktësisht u bë në paragrafin e dytë të Nenit 367 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.
Ky nen saktëson se nëse gjykata ekzekuton dënim me mbi 5 vite burgim ndaj një të pandehuri, atëherë personi i dënuar me automatizëm dërgohet në paraburgim, edhe në rastet kur ndaj tij më parë nuk është ngarkuar kjo masë.
“Nëse gjyqtari i vetëm ose trupi gjykues shqipton dënim prej pesë (5) ose më shumë vjet burg të akuzuarit ia cakton paraburgimin, nëse ai nuk gjendet në paraburgim, ose ia vazhdon atë kur i akuzuari gjendet në paraburgim”, specifikohet në paragrafin 2 të Nenit 367 të Kodit të Procedurës Penale.
Vendimin për lirimin e Sekiraqes nga paraburgimi, Gjykata e Apelit e ka dhënë para nxjerrjess së vendimit të ankimuar nga mbrojtja e të dënuarit në këtë gjykatë, ndaj aktgjykimit të Themelores që e dënoi prishtinasin me 37 vjet burgim, shkruan Gazeta Express.
Këtë e konfirmon edhe vetë avokatja e Sekiraqes, Kosovare Kelmendi. Ajo tregoi se ende nuk kanë pranuar vendimin e Apelit për rastin Sekiraqa, duke sqaruar se vendimi i fundit i bërë publik nga Apeli është vetëm për masën e sigurisë ndaj të dënuarit.
Por, kjo Gjykatë vetëm ka treguar se ky vendim do të jetë i përfshirë në vendimin përfundimtar të kësaj gjykate për rastin e nxitjes së vrasjes së policit Triumf Riza.
“Vendimi u mor pas shqyrtimit të kolegjit profesional prej tre gjyqtarësh, (dy nga radhët e EULEX-it dhe një vendor) të Gjykatës së Apelit. Arsyetimi i këtij vendimi për të ndryshuar masën e paraburgimit për të pandehurin nga masa e paraburgimit në masën e arrestit shtëpiak do të përfshihet në vendimin përfundimtar të Gjykatës së Apelit”.
Tutje, Apeli bën të ditur se arsyet për vendimin për lirimin e Enver Sekiraqes nga paraburgimi do të prezantohen në aktgjykim me shkrim.
“Sipas Nenit 369 te Kodit te Procedurës Penale, aktgjykimi do te shkruhet brenda tridhjete (30) ditëve prej kur paralajmërohet. Kryetari i Trupit Gjykues mund te kërkojë nga Kryetari i Gjykatës qe ta shtyjë afatin për gjashtëdhjetë (60) dite shtese, qe aktgjykimi te shqyrtohet ne raste komplekse”, sqaron Apeli.
E Ehat Miftaraj nga Instituti Kosovar për Drejtësi, si njohës i çështjeve juridike në vend thotë se ndryshimi i masës së sigurisë ndaj një të akuzuari të profilit si Enver Sekiraqa duhet të sqarohet mirë në publik.
Sipas tij është skandaloze që ky vendim të bëhet publik nga avokati i të dënuar e jo nga vetë gjykata që e ka shqiptuar.
“Kemi të bëjmë me një rast të një profili të personit të rrezikshëm, i cili akuzohet për vepra të rënda dhe i cili ka ikur për një kohë nga drejtësia, derisa është dorëzuar vullnetarisht. Një rast i këtij profili, i cili vazhdon të akuzohet për vepra të rënda penale, për të cilat njëherë gjykata e shkallës së parë e ka dënuar më dënim kapital prej 37 viteve burgim efektiv, duhet të sqarohet mirë në publik edhe rreth vendimit për ndryshimin e masës se sigurisë”, thotë ai.
“Kjo gjykatë e ka obligim ligjor që vendimin lidhur me ndryshimin e masës së sigurisë ta publikoj dhe ta informoj dhe bind publikun se një masë e tillë është e bazuar në ligj”, deklaron Miftaraj nga IKD-ja.



