Lirohen nga paraburgimi tre zyrtarët e Komunës së Prishtinës të dyshuar për marrje ryshfeti

Lirohen nga paraburgimi tre zyrtarët e Komunës së Prishtinës të dyshuar për marrje ryshfeti

Tre zyrtarët e Komunës së Prishtinës të cilët u patën arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti u është ndryshuar masa e paraburgimit. Dy prej tyre Gjykata i ka zëvendësuar me masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, e njëri ka arritur marrëveshje për pranim fajësie. Ata dyshoheshin për dy vepra penale keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje  ryshfeti.

Bashkim Sadiku, Dukagjin Gashi e Afrim Gashi tre zyrtarët e Komunës së Prishtinës, të cilët u patën arrestuar në janar të këtij viti nën dyshimin për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”, janë liruar nga paraburgimi.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se atyre u ka ndryshuar masa e paraburgimit me kërkesë të Prokurorisë.

“Me aktvendimin PPRKR.nr.20/2026 të datës 13.02.2026, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ashtu që për të pandehurit D.G. dhe B.S. masa e paraburgimit është zëvendësuar me masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar. Kjo masë ka filluar më 13.02.2026 me kohëzgjatje deri më 13.04.2026. Ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, duke ndërprerë masën e paraburgimit ndaj të pandehurit A.G. dhe duke e zëvendësuar atë me masën e arrestit shtëpiak. Kjo masë ka filluar më 13.03.2026 dhe është caktuar të zgjasë deri më 27.04.2026”, thuhet në njoftimin e Gjykatës, raporton Koha.net, transmeton Periskopi.

E me të dyshuarin Afrim Gashi, në Prokurori thanë se kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë.

“Ju njoftojmë se me të pandehurin A.G., Prokuroria Themelore në Prishtinë ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë për shkak të dyshimit të veprës penale ”Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 të KPRK-së. Ndërsa për të pandehurit D.G., dhe B.S., jemi në pritje të ekzaminimeve të ekspertizave”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Tre të pandehurit, sipas Prokurorisë, dyshohet se kanë kërkuar nga i dëmtuari që të paguajë një shumë mjetesh në mënyrë që t’i realizohet pagesa për punët që kompania e tij ka kryer në Prishtinë, lidhur me tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit të dimrit.

Sipas Prokurorisë, më 27 janar në kohë dhe vende të ndryshme në Prishtinë, të pandehurit Afrim Gashi, Dukagjin Gashi dhe Bashkim Sadiku, në bashkëkryerje dhe pas një marrëveshjeje paraprake për të pranuar ryshfet, kishin lënë takim me të dëmtuarin E.G.

Sipas Prokurorisë ata në mënyrë të kundërligjshme kanë planifikuar dhe koordinuar aktivitete korruptive, me qëllim të ekzekutimit të pagesave lidhur me punët e kryera, i kanë kërkuar të dëmtuarit para ryshfet 5 mijë e 500 deri 6 mijë euro të vlerës së dy faturave të papaguara, me qëllim që t’ia mundësojnë pagesën e faturave, njërës në vlerë rreth 27 mijë euro (27 mijë e 384 euro e 8 centë), dhe tjetra në vlerë 28 mijë euro (28 mijë e 10 euro e 40 centë), lidhur me tenderin “Mirëmbajtja dimërore e rrugëve”- Lot 1.

E kryetari Përparim Rama, pas arrestimit pati njoftuar se ka pezulluar nga puna tre zyrtarët e shërbimeve publike deri në përfundim të procedurave hetimore dhe gjyqësore ndaj tyre./Periskopi

Shpërndaje në: