‘Lista Serbe kërkoi hise në Trepçë e Brezovicë, në këmbim të votës për Demarkacion’

‘Lista Serbe kërkoi hise në Trepçë e Brezovicë, në këmbim të votës për Demarkacion’

Deputetja e rikthyer në AAK, Donika Kadaj Bujupi ka thënë se Lista Serbe ka kërkuar hise në Trepçë e Brezovicë, në këmbim të votës pro Demarkacionit, shkruan Periskopi.

Në një intervistë në T7, Kadaj Bujupi tha se ka shqyrtuar votën e saj për Demarkacionin, në momentin që ka kuptuar kushtëzimet e Listës Serbe.

“Lista Serbe ka kërkuar hise në Trepçë e Brezovicë. E kam shqyrtuar votën time, në mënyrë që të mos pranoheshin kushtet e Listës Serbe. Sonte flej rehat sepse kam vepruar drejt, sepse kam mundësuar që një Listë që është armiqësore me Kosovën, të mos i arrij qëllimet e saj. Si shumicë shqiptare mundësuam ruajtjen e Brezovicës dhe Trepçës. Ne ruajtëm resurset tona natyrore”, deklaroi Kadaj Bujupi.

Ajo tha se u bind të që votojë pro Demarkacionit, pasi në marrëveshje u përfshi raporti i Komisionit të Shpejtim Bulliqit dhe aneks-marrëveshja mes dy presidentëve.

“Ka qenë një ndër proceset më të vështira. Janë bërë tri vite që kjo marrëveshje na është bërë si barrë, marrëveshje e gabuar e nënshkruar më 2015. Ishte moment i ri, sepse në marrëveshje kemi raportin e Bulliqit, që krijonte mundësi për korrigjim. Ishte çështje që na solli para një momenti që Kosova ishte komplet e izoluar. Kemi njerëz me kapacitete, por ky kriter i BE’së i mbajti të bllokuar. Besoj se mundësia për korrigjim do të shfrytëzohet dhe Kosovës do t’i hapet rruga për liberalizim vizash”, tha Donika Kadaj Bujupi.

Tutje, ajo u pyet edhe për mënyrën se si futet në Kuvend gazi lotsjellës nga deputetët e Vetëvendosjes.

Ajo tha se asnjëherë nuk do ta tregojë një gjë të tillë, por se thotë se pikërisht gazi lotsjellës ndihmoi ata në kundërshtimin e tyre./Periskopi

 

Shpërndaje në: