Lista Serbe mund ta dështojë koalicionin PANA

Lista Serbe mund ta dështojë koalicionin PANA

Lista Serbe është e gatshme që të jetë partner konstruktiv në institucionet e ardhshme të Kosovës dhe të punojë për përparimin e pozitës së të gjithë qytetarëve, e në veçanti të serbëve në hapësirën e Kosovës, thonë zyrtarët e Listës Serbe.

Igor Simiq, deputet i Listës Serbe dhe zëdhënës i këtij subjekti politik , thotë për Radion Evropa e Lirë se para se të arrihet çfarëdo marrëveshje me subjektet politike shqiptare, Lista Serbe do të konsultohet me Qeverinë në Beograd dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Ne nuk kemi bashkëpunëtor më të mirë, mik dhe dikë që mendon më mirë për serbët në Kosovë, se sa Qeverinë tonë dhe Presidentin tonë”, ka thënë Simiq.

Ai ka theksuar se Lista Serbe konsideron që është mirë që Kosova po lëvizë drejt formimit të institucioneve të reja, prej kur koalicionit PAN, e përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, i është bashkangjitur edhe Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e koalicionit PAN, kanë theksuar se janë duke u koordinuar me Listën Serbe për marrëveshjen lidhur me formimin e Qeverisë së re, por, ata nuk kanë dhënë detaje se mbi cilat kushte synohet një marrëveshje e tillë.

I nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, ka thënë se janë duke biseduar me Listën Serbe. Ndërkaq, lidhur me kushtet e kësaj të fundit, ai ka thënë se ato janë të njëjtat që kanë qenë edhe në mandatin e kaluar legjislativ dhe ekzekutiv.

“Ju i mbani mend nga seancat paraprake pozicionet e tyre. Pra, nuk ka ndonjë ndryshim”, ka thënë Haradinaj.

Igor Simiq ka thënë se Lista Serbe do të jetë e hapur për bisedime pasi që të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe pasi që do të dihet emri i mandatarit për formimin Qeverisë së Kosovës.

“Lista Serbe e ka prezantuar programin e saj dhe për të e ka marrë mbështetjen e qytetarëve. Kushdo që dëshiron të bisedojë me Listën Serbe duhet të tregojë respekt ndaj interesave të popullit serb në hapësirën e Kosovës, por edhe ndaj nesh si përfaqësues të serbëve”, tha Simiq.

Shpërndaje në: