Lista Serbe s’ka vendosur nëse do ta votojë apo kundërshtojë demarkacionin

Lista Serbe s’ka vendosur nëse do ta votojë apo kundërshtojë demarkacionin

Ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi pritet të vihet në diskutim dhe votim në seancën e Kuvendit të caktuar për datën 1 shtator. Për ratifikimin e kësaj Marrëveshje do të nevojiten dy të tretat, apo 80 votat e deputetëve.

Aktualisht, koalicioni po bën përpjekje të sigurojë çdo votë që të arrijë numrat e nevojshëm.

Pjesë e koalicionit është edhe Lista Serbe me 11 deputetë.

Branimir Stojanoviq nga Lista Serbe, njëherësh zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky subjekt politik së shpejti do të dal me qëndrimin në lidhje me Demarkacionin.

“Lista Serbe do të paraqesë qëndrimin e vet, siç ka vepruar gjithmonë. Kështu që unë nuk do të komentoja më gjatë këtë çështje”, ka thënë Stojanoviq.

Kundër marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi kanë dalë edhe disa deputetë të koalicionit, nga LDK e PDK.

Mobilizimit të koalicionit për ta kaluar Demarkacionin me Malin e Zi po i kundërpërgjigjet në anën tjetër opozita me mobilizimin për të mos lejuar ratifikimin e marrëveshjes.

Aktualisht, edhe opinionistët nuk kanë një parashikim nëse do të ratifikohet kjo marrëveshje, duke besuar se gjithçka do të varet nga pozicionimi i disa deputetëve të koalicionit, të cilët kanë ngritur dyshime rreth kësaj marrëveshje.

 

Shpërndaje në: