Lista Srpska ankohet në PZAP pasi KQZ s’ia certifikoi kandidatët e saj për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Lista Srpska ankohet në PZAP pasi KQZ s’ia certifikoi kandidatët e saj për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Lista Srpska është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos certifikuar kandidatët e saj për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Për këtë ka njoftuar anëtari i Kryesisë së Listës Srpska, Igor Simiq, i cili tha se vendimi i KQZ-së “përfaqëson një përpjekje të regjimit të Kurtit për t’u imponuar serbëve se kush do t’i përfaqësojë ata në parlament”.

Simiq tha për Kosovo Online se KQZ “tradicionalisht merr vendime të paligjshme për të parandaluar pjesëmarrjen e Listës Srpska në zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe tani po përpiqet të mos certifikojë kandidatët e saj për deputetë”.

“Mbrëmë vonë na dërguan një vendim në të cilin, citoj, thuhet ‘kontrollet e listës së kandidatëve nuk rezultuan në ndonjë gjetje që do të pengonte konfirmimin e asnjërit prej kandidatëve të Listës Srpska të paraqitur nga kjo parti për këto zgjedhje’. Pra, ata e shkruajnë këtë dhe pastaj keni një vendim që thotë ‘rekomandimi që u dha është refuzuar’”, tha Simiq.

Ai shtoi se të gjitha institucionet e Kosovës i kanë kontrolluar kandidatët e Listës Srpska dhe kanë përcaktuar se ata i plotësojnë të gjitha kërkesat ligjore në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Megjithatë, u mor një vendim politik. Anëtarët e partive politike në KQZ nuk donin të certifikonin kandidatët tanë. Kjo tregon edhe një herë se sa shumë Kurti dhe regjimi i tij i frikësohen unitetit serb dhe fitores së Listës Srpska në zgjedhje”, tha Simiq,

Ai tha se ankesën në PZAP e bënë sot në mëngjes.

“Ne presim që Paneli Zgjedhor i Ankesave dhe Parashtresave ta anulojë vendimin. Por kjo konfirmon pikëpamjen se regjimi i Kurtit po bën gjithçka për të penguar serbët të kenë të drejtën të zgjedhin përfaqësuesit e tyre politikë, por përkundrazi dëshiron t’u imponojë atyre se kush do t’i përfaqësojë serbët brenda atij parlamenti”, tha ai.

Shpërndaje në: