Liverpool më afër se kurrë në fazën e grupeve të Champions League
‘The Reds’ triumfojnë me rezultat 2:1 në ndeshjen e parë ndaj Hoffenheimit të zhvilluar në Gjermani.
Liverpooli ka kryer një punë të madhe qysh në ndeshjen e parë të play-offit të Ligës së Kampionëve pasi ka arritur të triumfojë me rezultatin 2:1, ndaj Hoffenheimit.
Në fakt klubi gjerman ka mundur të kalonte në avantazh qysh në minutën e 12-të, por Andrej Kramariç dështoi nga penalltia për të mposhtur portierin Simon Mignolet, transmeton KosovaPress.
Në minutën e 35-të erdhi goli i parë i ndeshjes i realizuar nga 18-vjeçari Alexander Arnold, i cili shënoi nga gjuajtja e lirë. Epërsia e Liverpoolit u dyfishua në minutën e 74-të pas autogolit të Havard Nordtveit. Golin e nderit për Hoffenheimin e shënoi Mark Uth në të 87-tën.
Përveç këtij takimi janë zhvilluar edhe katër përballje të tjera, ku ekipi i Ansi Agollit, Qarabag befasoi duke triumfuar ndaj Kopenhagës. Reprezentuesi shqiptar ishte në fushë për 90 minuta.
Fitore arritën edhe CSKA Moska e Apoel që triumfuan ndaj Young Boys përkatësisht Slavia Pragës me rezultatet 0:1 dhe 2:0. Pa gola u mbyll takimi në mes të Sportingut dhe Steaua Bukureshtit.
Ndeshjet e kthimit zhvillohen pas një jave:
Rezultatet:
Qarabag – Kopenhagen 1:0
APOEL – Slavia Prague 2:0
Hoffenheim – Liverpool 1:2
Sporting – FCSB 0:0
Young Boys – CSKA Moska 0:1



