Lladrovci premton zgjidhje për stacionin e autobusëve dhe tregjet në Drenas e Komoran

Lladrovci premton zgjidhje për stacionin e autobusëve dhe tregjet në Drenas e Komoran

Lladrovci ka thënë se Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjente ka synim të vazhdueshëm që të rris bashkëpunimin e  ngushtë në shërbim të qytetarëve tanë, me qëllim të intervenimit me kohë.

Përveç finalizimit të projekteve të miratuara në asamblenë komunale, Lladrovci ka thënë se prioritet i tij për vitin 2017 është edhe zgjidhja  e çështjes së Stacionit të Autobusëve, me qëllim të funksionalizimit të shërbimit të transportit publik dhe sjelljes së të mirave materiale për buxhetin e komunës.

“Do t’i rregullojmë edhe vendet e pritjes për udhëtarët e autobusëve”, ka shtuar ai.

Lladrovci ka premtuar se do ta ndërtojë edhe mbikalimin te Korrotica e epërme, se do ta funksionalizojë tregun ditor në Drenas dhe do ta zgjidhë edhe çështjen e tregut të gjelbër në Komoran.

“Prioritet do ta kem edhe zgjidhjen e çështjes së ambientit në qendrën zejtare, çështjen e ujit, kanalizimit, gjelbërimit dhe parkingut”, ka thënë Lladrovci.

Edhe zjarrfikësve të Drenasit, Lladrovci u ka premtuar se do t’ua barazojë pagat me kolegët e tyre në Kosovë.

Ndërsa, si prioritete të tjera, ai ka përmendur edhe sigurimin e hapësirave të reja për parkingje, ndryshimin e kaheve të disa rrugëve brenda qytetit, vendosjen e disa semaforëve në qytet, shënjimin dhe ruajtjen e pronës publike, si dhe bashkëpunimin me organet e rendit dhe rritjen e sigurisë nëpër shkolla.

Kandidati i PDK-së për të parin e Drenasit ka treguar se do të vazhdojë me vendosjen e kamerave në qendër të qytetit dhe ka premtuar edhe realizimin e projektit për trajtimin e qenve endacakë.

“Komuna po vazhdon të shtrijë shërbimin e menaxhimit të mbeturinave në tërë territorin. Largimi i deponive ilegale dhe vendosja e shenjave për vetëdijesim të qytetarëve është prioritet i drejtorisë për shërbime publike në Drenas”, ka thënë Lladrovci.

Kjo drejtori, sipas tij, për vitin 2016 ka pasur buxhet për projektet kapitale në vlerë prej 352 mijë euro, kurse mirëmbajtja e hapësirave publike, përfshirë sheshin dhe parkun e qytetit, rrugët gjatë sezonit veror dhe dimëror, ndriçimi i qytetit, mirëmbajtja e kanalizimeve dhe gropave septike, si dhe rregullimi i varrezave kanë qenë përgjegjësitë kryesore të saj.

Këtë vit, Lladrovci ka thënë se komuna ka ndarë buxhet edhe për heqjen e shpenzimeve të varrimit për qytetarët, me qëllim të lehtësimit të shpenzimeve për familjarët.

“40 mijë euro është buxheti i miratuar për heqjen e shpenzimeve të varrimit”, ka thënë Lladrovci.

Në fund të prezantimit të tij, kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit ka paraqitur edhe investimet e planifikuara kapitale në vlerë prej 350 mijë eurove për të gjitha shërbimet publike në komunën e Drenasit.

Shpërndaje në: