Lu: Sfidoj Ramën e Bashën që të takohen e të mos dalin pa gjetur zgjidhje

Lu: Sfidoj Ramën e Bashën që të takohen e të mos dalin pa gjetur zgjidhje

Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu tha se sfidonte publikisht kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha që të takoheshin të hënën ballë për ballë dhe të mos dilnin nga salla e takimit pa gjetur një zgjidhje përfundimtare kompromisi për reformën në drejtësi.

Lu u shpreh se Basha nuk i ishte përmbajtur zotimit përpara zonjës Nuland të dielën, duke theksuar se propozimi i tij më i fundit ishte i papranueshëm për Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që e konsideroi të papranueshëm edhe deklaratën e djeshme të kryeministrit Rama, sipas të cilit hiqte dorë nga negociatat dhe ishte gati të miratonte çdo reformë që propozonte opozita me kusht që ajo të pranohej nga BE-ja dhe SHBA-ja.

Ai deklaroi se reforma do të miratohet nga Kuvendi, ndërsa të gjithë janë të acaruar nga qëndrimet e politikanëve shqiptarë.

Deklarata e plotë e zt. Lu:

Mendoj se ka një gjë për të cilën biem dakord: të gjithë jemi të acaruar dhe të lodhur me politikanët e Shqipërisë. Sot zt.Basha dha se opozita kishte vendosur mbi tavolinë një propozim të vlefshëm.

I thashë zt. Basha, se propozimi i tij ishte i papranueshëm nga SHBA dhe tregon se ka thyer zotimin e tij ditën e diel ndaj ambasadores Nuland. Gjithashtu, sot zt.Rama njoftoi se u ka dhënë fund negociatave me opozitën dhe tha se do të pranonte çdo kërkesë të opozitës që të pranohej nga BE dhe SHBA.

Unë e refuzoj edhe këtë rol. Përgjegjësia për zgjidhjen e problemeve politike të Shqipërisë qëndron mbi udhëheqësit shqiptar.

Propozoj një zgjidhje të thjeshtë; e sfidoj kryeministrin dhe kreun e opozitës që të takohen ballë për ballë të hënën dhe të premtojnë publikisht se nuk do të largohen nga salla e takimit derisa të gjejnë një zgjidhje, një zgjidhje për çështjen e fundit të kësaj reforme dhe të shohim se kush është me të vërtetë në favor të gjetjes së një kompromisi.

Kjo do të zgjidhë problemin në njërën prej dy mënyrave. Ata ose do të gjejnë një zgjidhje që mund të mbështetet si nga qeveria ashtu edhe nga opozita ose mund të mbyllen brenda asaj salle takimi së bashku përjetë.

Gjysmë ore më parë pyeta se kush ka më shumë frikë nga kjo reformë. Krerët e krimit të organizuar, gjyqtarët e korruptuar apo politikanët kriminelë. Sot përgjigja është e qartë; të gjithë po e luftojnë.

Të enjten, deputetët e Kuvendit kanë mundësi të tregojnë qëndresë për popullin e Shqipërisë që e kërkojnë këtë reformë. Ka ende kohë që zt.Basha dhe zt. Rama të gjejnë një kompromis.

Nëse ata nuk munden, Kuvendi duhet ta miratojnë këtë reformë. Harku i historisë është i gjatë, por ajo anon nga drejtësia. Reforma në drejtësi do të miratohet. E vetmja pyetje është; nëse ky Kuvend dhe udhëheqësit politik do të mbahen mend për suksesin apo do të fajësohen për dështimin e saj?!

Shpërndaje në: