Lulzim Hetemi në prag të “100 ditë vetmi”: Çka po bën kryetari i ngujuar i Leposaviqit?
Janë bërë 3 muaj e një ditë që kur kryetari i Leposoaviqit Lulzim Hetemi është ngujuar brenda objektit të kësaj komune.
Hetemi u fut në objektin e që Komunës nga ora 06:00 e mëngjesit të 29 majit, për të mos dalë më nga aty deri në në publikimin e këtij artikulli (30 gusht, 2023).
Përgjatë këtyre 92 ditëve, kryetari i Leposaviqit është deklaruar vetëm njëherë, ku ka treguar “se po ha bukë si në hotel”. Që nga ajo ditë Hetemi nuk ka qenë i qasshshëm, pavarësisht interesimit të Periskopit që herëpaseherë kanë provuar që ta kontaktojnë, në qoftë se jo për ndonjë vendim që mund të ketë marrë për komunën, thjeshtë për shëndetin e tij.
“Po hamë bukë si në hotel. Policia na e sjellë, kur ndërrohen na e bjen ushqimin… “Unë sonte muj me dalë, nesër muj me dalë, nuk e kam problem. Ta shohim situatën se si po zhvillohet jashtë e në Prishtinë e pastaj veprojmë”, kishte deklaruar Hetemi.
Isha i shqetësuar mos po lëshon pe Hetemi, ai ishte i shqetësuar mos po lëshoj pe unë
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte treguar për një bidedë telefonike që e kishte realizuar me kryetarin Hetemi në muajin qershor.
Në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të VV-së, Kurti u kishte treguar bashkëpartiakëve të tij si ai ashtu edhe Hetemi ishin të shqetësuar nëse ndonjëri prej tyre “po lëshonte pe”.
“Unë e thirra në telefon, dhe bisedova me kryetarin e komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin, dhe ndodhi diçka interesante për të thënë të drejtën. Kur e thirra kisha brengë se mos ishte mërzitur brenda në zyrë u bënë shumë javë, por unë teksa isha i brengosur se mos ishte mërzitur ai, ai ishte brengosur se mos isha mërzitur unë. Kështu unë i shqetësuar mos po lëshon pe ai, e ai i shqetësuar mos po lëshojë pe unë. Kështu që biseda në vazhdim ishte veçse e përzemërt dhe e këndshme”, kishte deklaruar Kurti.
Por lëshimin e perit siç dihet e bëri kryeministri Kurti, i cili u pajtua me kërkesat e Bashkimit Evropian për ndërmarrjen e hapave për deeskalimin e situatës në veri. Njëri ndër hapat për të cilin Kurti është pajtuar, është mbajtja e zgjedhjeve në katër komunat veriore, ku Hetemit një ditë do t’I duhet të dalë jashtë objektit komunës dhe nuk dihet nëse do të kthehet më.
Oso Kuka
Kryeministri Shqipërisë Edi Rama ishte i pari e quajti Hetemin, Oso Kuka. Derisa e konsideronte absurditet mbylljen e Hetemit brenda objektit të Komunës, Rama thoshte se praktikisht Hetemi është një kryetar i vetëburgosur me vetëm 1 përqind të votave.
“Çdo të thotë kjo që të mbajmë akoma disa kryetarë komunash të cilët janë zgjedhur me 1 për qind të votave, që rrinë të mbyllur si Oso Kuka. Njëri rri atje me policë dhe është i burgosur faktikisht, sepse nuk del dot as të marr ajër. E të tjerët rrinë diku ku s’dihet ku janë dhe në ndërkohë që në tavolinë është plani franko-gjerman. NATO nuk do e ketë mendjen për t’u marrë me kryetarët e ngujuar si Oso Kuka, kur aktualisht po zhvillohet një luftë në Ukrainë”, kishte deklaruar Rama për Euronews Albania.
Për ata që nuk e dinë, Oso Kuka apo Osman Bejtullah agë Kuka rreth viteve 1820-1861) ka qenë një kapiten i rojeve të kufirit osmano-malazez. Mes konflikteve të shpeshta mes Perandorisë Osmane dhe Malit të Zi në shek. XIX, i rrethuar nga ushtarë malazezë në një kullë në ishullin Vraninë, ai u hodh në erë duke vrarë veten dhe shumë nga ushtarët malazezë.
Ngujimi i pa(ligjshëm) i Hetemit
Avokatët kanë ngritur pikëpyetjet në lidhje me ligjshmërinë e ngujimit të Lulzim Hetemit në objektin e Komunës, ku sipas tyre nuk ka asnjë shembull askund në ndonjë shtet që një kryetar komune e shndërron objektin në një vend ku bënë edhe fjetjen.
Avokati Arbër Jashari tha se Hetemi ka të drejtë që në raste specifike të punojë jashtë orarit tetë orë në javë, por që kjo nuk po ndodhë.
Mendim të njëjtë sa i përket privimit të së drejtave të veta për Hetemin ka edhe avokati tjetër, Xhevdet Smakiqi. Smakiqi thotë se asnjë ligj nuk ia ndalon e as lejon atij që të flej në objektin e komunës.
Ai ngriti edhe një çështje tjetër, atë të higjienës dhe të takimit me familjarë, duke theksuar se Hetemi mund të konsiderohet i vetburgosur.
“Unë në aspektin profesional e kam sqaruar se nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore qoftë në Ligjin për qeverisje lokale qoftë në Ligjin e punës apo edhe me kompetenca të kryetarit të komunës si kryetar se kryetarit i lejohet apo i njëjti të detyrohet të akomodohet për të fjetur në objektin e komunës”.
“Edhe pse kryetari i komunës nuk është i punësuar siç e parashikon Ligji i punës, nuk është domethënë një punëmarrës, ai është me mandat, por funksionet e tij ai duhet t’ia përshtat administratës komunale, gjegjësisht zyrtarëve të cilët gjithashtu janë punëmarrës dhe ata kanë një orar të rregullt të punës nga ora 8:00 në orën 16:00 dhe unë e kam sqaruar se bazuar mbi këtë obligim që e kanë zyrtarët e administratës duhet edhe kryetari i komunës të ia përshtat dhe kjo është absurde. Nuk keni asnjë shembull askund në ndonjë shtet qoftë fqinj qoftë evropian që një kryetar komune e shndërron objektin në një vend ku bënë edhe fjetjen”.
Ai madje thotë se nuk dihet nëse ai është në protestë apo realisht po punon, duke shtuar se e ka privuar veten nga shumë të drejta.
“Ai ka të drejtë vetëm në raste specifike të punojë jashtë orarit dhe atë më së shumti tetë orë në javë si punë shtesë, krahas atyre dyzetë orëve që është e përcaktuar me ligj. Dhe kjo nuk është duke ndodhur”.
Kushtet e përballueshme për jetesë, bëhen improvizime
Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, për nëntë ditë qëndroi i ngujuar në objektin e Komunës së Leposaviqit, së bashku me kryetarin Lulzim Hetemin, i cili po vazhdon të jetë akoma brenda.
Në lidhje me këtë Vokrri ka treguar përvojën që kishte brenda atij objekti për aq sa kohë që ishte brenda, duke thënë se ka qenë një përvojë që nuk do ta harrojë.
Ai shtoi se qëndrimi i Hetemit duhet merret shembull nga të gjithë, për qëndrimin e palëkundur.
“Borxh ia kemi që t’ia dimë për nder kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemit për stoicizmin e tij, për qëndrimin e tij atje i palëkundur duke pasë parasysh se çfarë barre ka mbi vete që nuk është thjesht çështje veç e një komune në Kosovë, por është diçka shumë me e madhe, është ndihmese e jashtëzakonshme për plotësimin e sovranitetit të Republikës së Kosovës”, u shpreh Vokrri.
“Qëndrimi me të ka qenë përvojë që nuk harrohet dhe merret për tëre jetën na ka jep shembull qysh duhet dikush duhet me besu në vendin e vet, me besu në të drejtën e vet dhe me pasë gatishmëri edhe për sakrificën që me realizu një mision që ka filluar shumë më herët”.
Në lidhje me kushtet brenda komunës, ai tha se e kanë improvizuar një dush për t’u larë.
“Ndërtesa komunale e Leposaviqit është njëra prej më moderneve që ka Kosova, kushtet janë të përballueshme, bëhen improvizime, është improvizuar një dush. Pavarësisht rrethanave, kushteve pavarësisht sa është komod ndërtesa, zotëri Lulzim Hetemi është i vendosur që ta kryejë punën e tij me nder deri në fund”, tha ai.
Kujtojmë se Lulzim Hetemi u bë lajm i ditës ku gjatë kohës që po qëndronte i ngujuar në komunë, bëri një koment që u cilësua “flirtues” ndaj një gruaje që kishte konkurruar për miss.
“Respekt për bukuroshen”, ishte komenti epik i Hetemit./Periskopi/



