Lushtaku: Urrejtja e Vetëvendosjes ndaj UÇK-së buron nga bashkëpunimi i tyre me Serbinë
Nënkryetari i Komunës së Skenderajt dhe njëherit kandidati për kryetar të kësaj komune nga Partia Demokratike e Kosovës, Sami Lushtaku, në emisionin “Real Talk me Maxhunin”, që transmetohet në Periskopi dhe T7, ka thënë se urrejtja e Vetëvendosjes ndaj UÇK-së e ka burimin tek bashkëpunimi i tyre dhe i familjarëve të tyre me Serbinë.
“Një pjesë e tyre ka qenë bashkëpunëtor e Serbisë, familjet e tyre dhe familjarët e tyre asnjëherë nuk e kanë besuar çlirimin e Kosovës dhe nuk kanë dhënë asnjë kontribut për çështjen kombëtare, prandaj është krijuar kjo urrejtje që, fatkeqësisht, buron nga një pjesë e atyre që sot janë në Vetëvendosje”, ka thënë Lushtaku.
Lushtaku konsideron se kërkimfalja e Dimal Bashës, për “punimin shkencor” kundër UÇK-së, nuk mjafton. Ai e ka krahasuar veprimin e Dimal Bashës me vrasjen e një njeriu dhe më pas kthimin për të kërkuar falje.
“Kërkimfalja nuk mjafton për Dimal Bashën. Nëse dikush merr pjesë në një vrasje dhe pas vrasjes kërkon falje, kjo tregon shumë… Mendoj që Dimal Basha e ka vrarë luftën e UÇK-së, i ka vrarë dëshmorët, invalidët… prandaj nuk mjafton kërkimfalja. Ai nuk do të duhej të ishte në krye të Kuvendit të Kosovës, megjithatë kjo tash ka ndodhur”, ka thënë Lushtaku.
Sipas tij, vizita e Bashës në Prekaz, tek varrezat e familjes Jashari, fshehurazi, tregon se kryekuvendari ndihet me faj.
“Ardhja e Dimal Bashës më Prekaz dhe mënyra se si ka ardhur ai, mendoj se një Dimal Basha, ose një kryeparlamentar që vjen fshehurazi në Prekaz, kjo është për të kuptuar se ai e ndjen veten me faj sepse faji i tij është tepër i madh, jo i vogël. Qytetarët e Kosovës nuk duhet t’ia falin as Dimal Bashës, as Albin Kurtit, dhe as të tjerëve që mendojnë për UÇK-në kështu”, ka thënë Lushtaku./Periskopi/



