Lutfi Haziri: Gjilani ia dha krejt dashninë LDK-së – qytetarët refuzuan “komunën e kunatave e balldëskave”
Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar pas tubimit elektoral të mbajtur sot në Gjilan, duke shprehur falënderime për mbështetjen masive që qytetarët dhanë për kandidatin për kryetar, Arbër Ismajli, dhe listën e LDK-së, shkruan Periskopi.
Në një postim në rrjete sociale, Haziri tha se “Gjilani ia dha sot krejt dashninë LDK-së”, duke shtuar se partia e tij e do qytetin më shumë sesa partinë. Sipas tij, përkrahja e qytetarëve është dëshmi e qartë e refuzimit të modelit aktual qeverisës lokal.
“Gjilanasit janë qytetarë europianë, të cilët refuzojnë të identifikohen me ‘Komunën e kunatave e balldëskave’, refuzojnë të identifikohen me depresion ekonomik e politik, refuzojnë të ecin në terr politik”, ka thënë Haziri.
Ai shtoi se mbështetja për Arbër Ismajlin është një shenjë e besës dhe shpresës për projekte zhvillimore që, sipas tij, do ta nxjerrin Gjilanin nga kriza aktuale.
“Koha për Arbërin, besë dhe shpresë për projektet zhvillimore për Gjilanin”, përfundoi Haziri.



