Macron del kundër Trumpit: Franca nuk do të marrë pjesë në operacione për të zhbllokuar Ngushticën e Hormuzit

Macron del kundër Trumpit: Franca nuk do të marrë pjesë në operacione për të zhbllokuar Ngushticën e Hormuzit

Presidenti Emmanuel Macron tha të martën se Franca nuk do të marrë kurrë pjesë në operacione për të zhbllokuar Ngushticën e Hormuzit, duke kundërshtuar deklaratat e Presidentit amerikan Donald Trump se Parisi ishte i gatshëm të ndihmonte.

Trump, duke folur në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë të hënën, tha se kishte biseduar me Macronin, duke i dhënë atij notën “8 nga 10” për qëndrimin e tij lidhur me përfshirjen e aleatëve për zhbllokimin e Ngushticës së Hormuzit dhe sugjeroi se Macron do t’i bashkohej përpjekjeve të mbështetura nga SHBA.

“Ne nuk jemi palë në konflikt dhe për këtë arsye Franca nuk do të marrë kurrë pjesë në operacione për hapjen ose çlirimin e Ngushticës së Hormuzit në kontekstin aktual”, tha Macron në fillim të një mbledhjeje të qeverisë për të diskutuar konfliktet në Lindjen e Mesme, shkruan Reuters.

Zyrtarë francezë kanë thënë se Franca po vazhdon përpjekjet për të krijuar një koalicion për sigurimin e Ngushticës së Hormuzit pasi situata e sigurisë të stabilizohet dhe pa një rol të SHBA-së.

“Ne jemi të bindur se pasi situata të qetësohet — dhe e përdor qëllimisht këtë term në kuptim të gjerë — pasi situata të qetësohet, pra pasi bombardimet kryesore të kenë pushuar, ne jemi të gatshëm, së bashku me vende të tjera, të marrim përsipër përgjegjësinë për sistemin e eskortimit”, tha Macron.

 

Shpërndaje në: