Manchester United detyrohet ta fshijë videon që e paraqiste Kosovën si pjesë të Serbisë
Manchester Unitedi është detyruar ta fshijë nga Facebook një video, në të cilën e paraqiste Kosovën pjesë të Serbisë në hartë, pas reagimeve të ashpra të tifozëve në rrjetet sociale.
U duk se Manchester Unitedi kishte harruar ta përditësojë hartën, pasi në video-intervistën me mesfushorin e vet serb, Nemanja Matic, e shfaqi Kosovën pjesë të Serbisë të martën.
Faqja zyrtare e gjigantit anglez Manchester United e publikoi videon në llogarinë e vet zyrtare në Facebook, për ta shfaqur intervistën me mesfushorin serb Matic: “Vendlindja ime: Çfarë do të thotë Serbia për Maticin”.
“Djajtë e Kuq” nuk ishin në dijeni se harta e Serbisë ka ndryshuar përsëri në vitin 2008, kur Kosova e shpalli pavarësinë dhe u nda përfundimisht nga ish-okupatori.
Por, admini i Unitedi ka reaguar shpejt duke e fshirë videon nga llogaria zyrtare e klubit në Facebook, pas kritikave dhe reagimeve të ashpra të tifozëve, kryesisht nga Kosova.




