Manchesteri është i kaltërt, City fiton ndaj United (VIDEO)

Manchesteri është i kaltërt, City fiton ndaj United (VIDEO)

Manchester City ka fituar në shtëpi ndaj rivalit lokal, Manchester United, me rezultat 3-1 ndeshjen derbi të javës së 12-të në Ligën Premier.

City ka arritur të vazhdojë serinë pa humbje këtë sezon në Ligën Premier, pasi skuadra e Pep Guardiolas e ka mposhtur atë të Jose Mourinhos.

Pjesa e parë e ndeshjes u dominua e gjitha nga vendasit, të cilët përveç rasteve të shumta, arritën ta shënojnë edhe një gol.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 12-të të ndeshjes me anë të David Silva, i cili shënoi për 1-0 pas asistimit të Bernardo Silvas.

Në pjesën e dytë u zhvillua lojë më e mirë, ku të dyja skuadrat krijuan shumë raste dhe shënuan gola.

Pas vetëm tre minutave lojë ishte Sergio Aguero, i cili dyfishoi epërsinë e Cityt me një gol të bukur pas asistimit të Riyad Mahrez.

Megjithatë, Unitedi arriti të kthehet në lojë në minutën e 58-të me anë të Anthony Martial, i cili shënoi për 2-1 nga pika e bardhë.

Deri në fund të ndeshjes pati edhe shumë raste nga të dyja palët, por vetëm vendasit gjetën golin.

Ishte mesfushori gjerman, Ilkay Gundogan, i cili shënoi nga afërsia për 3-1 dhe vulosi rezultatin përfundimtar të ndeshjes.

Pas kësaj fitore, Qytetarët udhëheqin kampionatin me 32 pikë, ndërsa Djajtë e Kuq renditen në pozitën e tetë me 20 pikë.

Në ndeshjen e radhës, City udhëton te West Hami, ndërsa Unitedi e pret në shtëpi Crystal Palacen. /Periskopi/

Shpërndaje në: