Manipulimet me vota, Cakolli: Rreth 80 mijë janë numëruar gabimisht, afër 40 mijë nga PDK, 15 mijë nga VV, 11 mijë nga LDK e 4 mijë nga AAK

Manipulimet me vota, Cakolli: Rreth 80 mijë janë numëruar gabimisht, afër 40 mijë nga PDK, 15 mijë nga VV, 11 mijë nga LDK e 4 mijë nga AAK

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka bërë të ditur se nga rinumërimi i mbi 50% të vendvotimeve në Qendrat Komunale të Numërimit (QNR), rreth 80 mijë vota të kandidatëve për deputetë kanë rezultuar të pasakta dhe të numëruara gabimisht.

Sipas Eugen Cakollit nga KDI, në Kosovë kanë pasur rreth 900 mijë vota të vlefshme për subjektet politike, dhe secili votues kishte të drejtë të votojë deri në 10 kandidatë.

“Numri i përgjithshëm i votave preferenciale për kandidatët arrin në rreth 6.8 milion, që do të thotë se mesatarisht çdo votues ka shënuar rreth 7 kandidatë në fletëvotim”, ka shkruar Cakolli.

Ai shtoi se nga rreth 80 mijë vota të afektuara, 47,619 vota u hoqën nga kandidatët pasi ishin shtuar gabimisht gjatë numërimit fillestar, ndërsa 32,018 vota iu shtuan kandidatëve pasi ishin hequr më parë në mënyrë të pasaktë.

“Brenda këtyre votave, afërsisht 40 mijë i takojnë kandidatëve të PDK-së, rreth 15 mijë LVV-së, 11 mijë LDK-së dhe 4 mijë AAK-së”, theksoi ai.

Postimi i plotë:

Në Kosovë ka pasur rreth 900 mijë vota të vlefshme për subjektet politike, si dhe – për shkak të votës preferenciale deri në 10 kandidatë – 6.8 milion vota për kandidatët. Kjo do të thotë se mesatarisht çdo votues ka shënuar rreth 7 kandidatë në fletëvotim.

Nga rinumërimi i mbi 50% të vendvotimeve në QNR, deri më tani, rreth 80 mijë vota të kandidatëve kanë rezultuar të pasakta dhe të numëruara gabimisht në Qendrat Komunale të Numërimit. Prej tyre, pas rinumërimit, 47,619 vota u janë hequr kandidatëve (sepse u ishin shtuar gjatë numërimit fillestar), ndërsa 32,018 vota u janë shtuar kandidatëve pas rinumërimit (sepse u ishin hequr në mënyrë të parregullt më herët).

Brenda këtyre rreth 80 mijë votave të afektuara, afërsisht 40 mijë i takojnë kandidatëve të PDK-së, rreth 15 mijë LVV-së, rreth 11 mijë LDK-së dhe rreth 4 mijë AAK-së.

Sipas komunave, mbi 80% e këtyre votave vijnë vetëm nga komuna e Prizrenit. Tutje, renditen Malisheva dhe Podujeva* (e rinumëruar vetëm 10%).

Rritja e numrit të votave preferenciale deri në 10 kandidatë, së bashku me centralizimin e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit, e ka bërë procesin shumë më të cenueshëm ndaj abuzimeve. Kur të dhënat përpunohen nga një numër i vogël personash – që në disa raste rezultojnë të jenë familjarë apo të afërt të kandidatëve – ndërhyrjet mund të prodhojnë devijime të mëdha në rezultate.

Shpërndaje në: