Manipulimi i votave në Pejë, pritet intervistimi i 200 personave
Nëntë kallëzime penale janë dërguar në Prokurorinë Themelore të Pejës ndaj 49 të dyshuarve për manipulim të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Po ashtu pritet që numri i kallëzimeve të arrijë në 31 ndaj rreth 200 personave, kryesisht për kryesues dhe komisionerë të vendvotimeve në komunën e Pejës.
Kjo u bë e ditur nga Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore të Pejës.
“Në kuadër të hetimeve që jemi duke ndërmarrë për procesin zgjedhor të manipulimit të votave përkatësisht të numërimit të kandidatëve të subjekteve politike. Prokuroria Themelore në Pejë, për komunën e Pejës deri më tani ka pranuar nëntë kallëzime penale ndaj 49 personave. Ndërkaq për këtë komunë priten të pranohen gjithsej 31 kallëzime penale ndaj 200 personave, kryesisht kryesues dhe komisionerë të vendvotimeve. Ndërkaq më pas Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore”, deklaroi Nikçi.
Ai theksoi se deri tani janë intervistuar 49 persona si të dyshuar për manipulim të votave në zgjedhjet e mbajtura më 28 dhjetor 2025, ndërsa pritet që të intervistohen mbi 200 persona të tjerë vetëm për komunën e Pejës.
“Deri më tani janë intervistuar 49 persona dhe kemi pranuar nëntë kallëzime penale. Priten të intervistohen vetëm për komunën e Pejës mbi 200 persona dhe të pranohen mbi 31 kallëzime penale ndaj tyre. Pasi të pranohen këto, besoj që Prokurori i Shtetit do t’i analizojë dhe njëkohësisht në shumicën e rasteve kemi ndërmarrë edhe veprime të tjera ligjore që kjo fazë është konfidenciale, mirëpo pasi që të përfundojë i gjithë procesi do të njoftohet opinioni publik”, tha ai për Klankosova.tv.



