Maroko në Rusia 2018: Shanset e ekipit më të mirë afrikan në Botëror

Maroko në Rusia 2018: Shanset e ekipit më të mirë afrikan në Botëror

E premtë, 1 qershor 2018. Fiks sot dy javë fillon Kampionati Botëror në futboll “Rusia 2018”. Portali Periskopi do të përgatis artikuj për të gjitha kombëtaret pjesëmarrëse në këtë turne madhështor.

Po e nisim këtë aventurë me kombëtaren e Marokos, e cila konsiderohet si një prej kombëtareve më të forta afrikane – marrë parasysh cilësinë e lartë të lojtarëve dhe formën momentale të tyre.

Maroku ndodhet në Grupin B, bashkë me dy superfuqi evropiane si Spanja dhe Portugalia, por edhe me autsajderin, Iranin e Carlos Queirozit, shkruan Periskopi.

Vlera e përgjithshme në tregun e transferimeve për Marokun është 122 milionë euro. Kjo shifër është mjaft e madhe kur bëjmë fjalë për kontinentin afrikan, por në grupin e saj ndodhen Spanja [1,04 miliardë] dhe Portugalia [466,35 milionë] me lojtarë shumë më të shtrenjtë.

Lojtari më i shtrenjtë marokien është Amine Harit, i cili luan për Schalke 04, dhe ka vlerë 25 milionë euro. Menjëherë pas tij është Medhi Benatia i Juventusit, i cili vlen 23 milionë. Dhe i treti është Hakim Ziyech i Ajaxit që ka vlerë 20 milionë.

Por Maroko ka edhe lojtarë me një vlerë shumë më të vogël, që nuk vlejnë as 1 milion.

Sidoqoftë, dy lojtarët më të rëndësishëm të klubit janë kapiteni Benatia dhe zëvendëskapiteni Boussoufa. Madje, në 11-shen e parë nuk pritet të futet fare lojtari i saj më i shtrenjtë Harit, i cili është ende shumë i ri [20].

Maroku ka pasur fat shumë të keq në grup – por megjithatë është kandidati kryesor për të shkaktuar befasi dhe për ta dërguar Portugalinë në shtëpi [sepse, Spanja është edhe e pabefasueshme marrë parasysh nivelin e jashtëzakonshëm të lojtarëve].

Në rast se Maroku arrin të kapërcejë grupet, që do të ishte një arritje e madhe për këtë vend, atëherë në fazën e 1/8-s do të kishte përballë ose Egjiptin ose Rusinë – që nuk janë ekipe të pamposhtshme për të. Pra, kombëtarja e udhëhequr nga Herve Renard, e ka të ditur rrugën drejt një suksesi të jashtëzakonshëm. Një rrugë që nuk është e pambërritshme.

Në tetë ndeshjet e fundit, miqësore dhe për kualifikime, Maroku nuk e ka pësuar asnjë humbje të vetme. Ajo e ka deklasuar 6 me 0 Malin, pastaj ka barazuar me po të njëjtin ekip. E ka deklasuar 3 me 0 Gabonin e Aubameyangut, e ka mposhtur në miqësore 3-1 Korenë e Jugut dhe e mposhti në vend të vetin Bregun e Fildishtë 2-0.

Në vitin 2018, Maroku e ka mundur 2 me 1 Serbinë në Torino të Italisë. Ndërsa në një ndeshje tjetër miqësore e ka mundur edhe Uzbekistanin 2 me 0. /Periskopi

Shpërndaje në: