Marre për UEFA-n, dëshiron t’i çoj me zor Barcelonën dhe Realin në finale!
Nëse nuk je Real Madrid apo Barcelona, të fitosh Champions Leaguen këto vitet e fundit, është një mision pothuajse i pamundur
Dhe kjo, jo vetëm prej faktit se ato kanë në gjirin e tyre dy lojtarët më të mirë në botë të dekadës së fundit, Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo. Është më shumë se kaq. Prapa dominimit të tyre, qëndron në hije dhe vetë UEFA.Duket një akuzë e rëndë, por faktet flasin vetë vit pas viti.
Mjafton vetëm të kujtojmë dy ndeshjet e fundit të Barcelonës dhe Real Madridit. UEFA arriti deri aty, sa na faqen zyrtare të Champions League, u tall me Romën, duke ngritur pyetjen në fillim të ndeshjes, se sa gola do të shënonte Barcelona.
Katalanasit shënuan katër herë, por gjërat mund të kishin shkuar ndryshe, nëse gjyqtari do të kishte akorduar dy penallti të pastra për italianët, gjë që nuk ndodhi.
“Barcelona edhe kështu është e vështirë të mposhtet, imagjino pastaj kur ndihmohet edhe nga gjyqtarët”, shprehej i indinjuar në fund të ndeshjes sulmuesi Edin Xheko. Një natë më parë, edhe në Torino arbitri turk Çakir, u bë protagonist në mënyrë të “kujdesshme”. Ai nuk akordoi një penallti për Juventusin, pavarësisht se mbrojtësi i Real Madrid preku topin me dorë në zonë dhe nxori me karton të kuq lojtarin kryesor të Juventusit, Paulo Dybala, pasi i kishte dhënë fillimisht një karton të verdhë për stimulim, edhe pse pamjet treguan se kishte pasur kontakt mes tij dhe mbrojtësve të Realit, dhe për më tepër, sulmuesi argjentinas nuk pretendoi për penallti.
Ndërkohë që toleroi mesfushori Kasemiro, që bëri disa herë ndërhyrje për karton të verdhë.Por këto episode janë vetëm maja e ajsbergut.
Kujtoni këtu vetëm gjysmëfinalen e vjetshme mes Realit dhe Bajern Mynihut. Gjyqtari i ndeshjes i masakroi gjermanët, duke nxjerrë padrejtësisht Artur Vidalin me të kuq, ndërkohë që fali Kasemiron e Realit, duke i mohuar një penallti Bajernit dhe duke pranuar dy gola të Ronaldos nga pozita jashtë loje. Pra, praktikisht gjyqtari u bë faktor vendimtar për kualifikimin e Realit në finale.
Dhe si të mos mjaftonin episode e pafundme në favor të Realit dhe Barcelonës këto vitet e fundit, ajo që ngre pikëpyetje të mëdha, është fakti se si nuk janë përplasur asnjëherë me njëra-tjetrën në short?
Reali dhe Barcelona janë ekipe që çdo vit shkojnë deri në gjysmëfinale apo finale. Por, çuditërisht ato nuk janë vënë asnjëherë përballë tyre. Për shembull këtë vit, ishin tre ekipe spanjolle, por të tria e shmangën përplasjen mes tyre, ndërsa shorti caktoi derbin britanik Liverpul-City. Pas hedhjes së shortit, pati aludime të forta se ai ishte paravendosur.
Të gjitha këto duken si teori konspiracioni, por faktet tregojnë se është më shumë se kaq. Barcelona me Mesin dhe Reali me Ronaldon janë kthyer në marka, dhe për UEFA-n, ato duhet të shkojnë deri në fund të kompeticionit, pasi përkthehen në gjenerim më të madh të ardhurash.



