“Mbeti e pamposhtur” – FIFA shkruan për vitin historik të Kosovës në futboll
Kombëtarja e Kosovës e ka përmbyllur vitin 2025 në vendin e 80-të të ranglistës së FIFA-s, pozita më e mirë ndonjëherë në historinë e saj. Dardanët e nisën vitin nga vendi i 99-të dhe me një përparim prej 18 pozitash shënuan ngjitjen më të madhe nga të gjitha kombëtaret gjatë këtij viti, progres që FIFA e ka konfirmuar zyrtarisht.
FIFA ka theksuar ndryshimin e madh të Kosovës në vitin 2025, duke shkruar: “Para kualifikimeve për Kupën e Botës, Kosova kishte fituar vetëm një nga 18 ndeshjet eliminatore dhe kishte shënuar tetë gola, duke pësuar 39. Megjithatë, kjo ndryshoi në vitin 2025. Ekipi i drejtuar nga Franco Foda, pas humbjes në xhiron e parë ndaj Zvicrës, mbeti i pamposhtur në pesë ndeshjet e tjera, fitoi tri prej tyre dhe siguroi për herë të parë një vend në ‘play-off’-in evropian”.
Sipas FIFA-s, fitoret, barazimet dhe paraqitjet e suksesshme në Ligën e Kombeve dhe në ndeshje miqësore i sollën Kosovës 89.02 pikë, duke e ngjitur nga vendi i 99-të në të 80-tin. Rritja e vazhdueshme gjatë vitit, që nga hyrja në top-100 në fund të 2024-s deri te pozita aktuale, mbetet shpërblim dhe motivim shtesë për Dardanët, të cilët në mars synojnë hapin e radhës drejt kualifikimit historik në Kupën e Botës./Periskopi/



