Mbi 10 mijë kërkesa për të qenë në Varshavë, vetëm 3000 tifozë të Kombëtares në stadium për Poloni – Shqipëri

Mbi 10 mijë kërkesa për të qenë në Varshavë, vetëm 3000 tifozë të Kombëtares në stadium për Poloni – Shqipëri

Interesi i tifozëve shqiptarë ka qenë i jashtëzakonshëm për ndeshjen mes Polonisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për gjysmëfinalen play-off të Kupës së Botës 2026. Në më pak se 48 orë nga hapja e procesit të aplikimit për bileta, më shumë se 10 mijë kërkesa janë regjistruar për të siguruar një vend në stadiumin e Varshavës për sfidën e 26 marsit.

Procesi i aplikimit, i hapur që prej ditës së hënë, parashikon një përzgjedhje rastësore të fituesve. Sipas asaj që mësohet nga Federata Shqiptare e Futbollit, më shumë se 5 mijë aplikantë kanë kërkuar nga dy bileta (në total më shumë se 10 mijë bileta), duke rritur ndjeshëm konkurrencën për një vend në tribunë.

Megjithatë, numri i tifozëve shqiptarë që do të jenë të pranishëm në stadium mbetet i kufizuar. Në përputhje me rregulloren e UEFA-s, vetëm 5% e kapacitetit të stadiumit u është rezervuar tifozëve miq, që përkthehet në diçka më shumë se 3 mijë mbështetës kuqezi, në një impiant me 58 mijë ulëse.

Pavarësisht përpjekjeve të Federatës Shqiptare për të siguruar më shumë bileta në bashkëpunim me homologët polakë, kufizimi ka mbetur në fuqi, duke lënë jashtë një numër të madh tifozësh të interesuar.

Në rast fitoreje ndaj Polonisë në gjysmëfinalen play-off të Kupës së Botës, Shqipëria do të përballet në finalen play-off me fituesin e çiftit Ukrainë – Suedi për një vend në fazën e grupeve të Botërorit 2026 që zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Shpërndaje në: