Më 22 gusht shpërbëhet Kuvendi, Veseli: Zgjedhjet, vendim i duhur
22 gushti do të jetë data kur Kuvendi i Kosovës do të shpërbëhet. Pas kësaj seanca, i mbetet Presidentit të Kosovës që të caktojë datën e zgjedhjeve. Kryeparlamentari Kadri Veseli, ka falënderuar të gjitha grupet parlamentare që i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së tij, duke thënë se ‘kur ka dilema, zgjidhja mbetet tek qytetarët e Kosovës, zgjedhjet’.
“Kishim një takim shumë të mirë, ku patëm edhe vendimmarrje konsensuale për të marrë vendime që janë në interes qenësor të qytetarëve të vendit. Falënderoj të gjitha grupet parlamentare që iu përgjigjen pozitivisht ftesës sime që të caktojmë datën për mbajtjen e seancën për shpërndarjen e Kuvendit”, ka thënë Veseli, shkruan Periskopi.
“Që nga dita e parë e kam thënë me bindje të plotë dhe vendosmëri, edhe sot e them, e vetmja zgjidhje kur ka dilema çfaredo qofshin ato, e vetmja zgjidhje janë qytetarët tonë. Ky vend ka nevojë për vendosshmëri për të ecur përpara në mënyrë të veçantë për perspektivë e zhvillim ekonomik. Për shanse të barabarta dhe për luftën e pakompromis për luftën ndaj fenomeneve si krimi i organizuar dhe korrupsioni”, ka thënë Veseli.
“Vendit tonë i duhet edhe mençuri strategjike për të ruajtur shtetin, sovranitetin dhe integritetin. Kjo arrihet edhe kur i kemi pranë vetes edhe partnerët tanë strategjik. Kosova ka perspektivë, Kosova ka të ardhme dhe bashkërisht duhet të punojmë që këtë të ardhme ta krijojmë për të rinjtë tonë, për fëmijët tonë”, ka thënë ai./Periskopi/



