Me lot në sy, Granit Xhaka rrëfen fëmijërinë dhe sakrificën e familjes: Kurrë s’e harrojmë prej nga vijmë
Ylli kosovar i futbollit, Granit Xhaka, në një intervistë të veçantë në kanalet zyrtare të Premier League, ka treguar një pjesë emocionale të tij, për sakrificën e familjes dhe mundin e parreshtur të tyre që të arrijë ku është sot.
Duke treguar për dy prindërit dhe punën e tyre të pandalshme, Xhaka në një moment edhe shpërtheu në lot.
“Mendoj se kam qenë lider që kur isha 4 vjeç, për shkak se prindërit e mi kanë punuar gjatë ditës dhe kanë bërë punë shtesë, vetëm që ne t’i kishim kushtet e duhura për të qenë ata që jemi sot. Vëllai im është një vit më i madh se unë. Kështu që ai ishte 5 vjeç, unë isha katër, por isha përgjegjësi i shtëpisë, si katërvjeçar. Unë kisha përgjegjësi për çelësin. Kishim ditë kur ishim në shtëpi të vetmuar për 18 orë.
Kështu që vajzat e mia, gjashtëvjeçare dhe katërvjeçare, nuk mund t’i shoh të qëndrojnë të vetme për 18 orë në shtëpi. Por kështu ishim unë dhe vëllai im. Nëna ime e fillonte punën në orën 4 të mëngjesit, kthehej në shtëpi në orën 3 pasdite. Ajo e përgatiste ushqimin, kthehej dhe më pas përgatiste sërish ushqim për ne”.
Pikërisht për jetën që ka kaluar dhe eksperiencën ndër vite, duke i pasur në krah gjithmonë familjen, Xhaka tha se kurrë nuk e harrojnë prej nga vijnë.
“Po, mendoj kështu sepse ne asnjëherë nuk e harrojmë prej nga vijmë. Unë gjithmonë them kështu sepse vetë jam baba, dhe siç e thashë, nuk mund ta imagjinoj t’i lë fëmijët që po rriten për 18 orë në ditë të vetmuar, e kuptoni? Nëse besoni në diçka dhe punoni fort, mendoj se mund ta arrini”, shtoi futbollisti./Periskopi



