Mediokracia; kundërvepruesi i vetëm është mendimi kritik
Eseja Mediokracia e filozofit francez Alain Deneault, një vit nga botimi, është një libër ndërkombëtar shumë i shitur. Duhet theksuar se në qindra faqe, ka plot mendime dhe citime për të gjithë. Në politikë, nga Trampi tek Ciprasi, shfaqet vetëm një qendër ekstreme, në sipërmarrjen feja dhe gozhda, konsumatori besimtar, diktatura e humorit të mirë. Në punën pa nerv përcakton aftësinë themelore në adoptimin me natyrshmëri të shprehjes: standarde të larta të cilësisë në qeverisje duke respektuar vlerat e ekselencës
Bota u përket mediokërve. Ndoshta është një tezë jo e vështirë për ta eksperimentuar, por edhe ngushëlluese për t’i shpjeguar disa suksese, apo dështime të barazlarguar nga lartësitë e gjeniut dhe nga humnerat e padenjësisë. Eseja Mediokracia e filozofit francez Alain Deneault, një vit nga botimi, është një libër ndërkombëtar shumë i shitur. Duhet theksuar se në qindra faqe, ka plot me mendime dhe citime për të gjithë. Në politikë, nga Trampi tek Ciprasi, shfaqet vetëm një qendër ekstreme, në sipërmarrjen feja dhe gozhda, konsumatori besimtar, diktatura e humorit të mirë. Në punën pa nerv përcakton aftësinë themelore në adoptimin me natyrshmëri të shprehjes: standarde të larta të cilësisë në qeverisje duke respektuar vlerat e ekselencës. Dhe në çdo aspekt nxjerr disa modele foljore përdorimi, si të dish të luash, të dish të shesësh, të jesh sipërmarrës i vetes. Pra, thotë nuk patëm asnjë marrje të Bastijës, por sulmi u krye: mediokrët e morën pushtetin. Alain Deneault lindi në Utaues, Kebek, në vitin 1970. Studimet e tij u përqendruan te filozofia gjermane dhe franceze të shekullit të XIX dhe XX dhe në veçanti të veprës së filozofit Xhorxh Simmel
Prof. Deneault, ju bëri përshtypje ky sukses? Meqë shumë njerëz ju lexojnë, a ua thoni në sy se janë mediokër?
Prisja një jehonë shumë më të ngushtë, por ky libër flet për një gjendje të keqe shoqërore dhe që e pranojnë shumë njerëz. Pra, u përpoqa t’i shmangia moralizmat dhe t’i vija pikat mbi i. Qëllimi ishte të tregoja presionin shumë të fortë shoqëror që i inkurajon ata të mbeten persona çfarëdo.
Ju jeni treguar i ashpër me botën akademike së cilës i përkisni. A u ndje dikush i ofenduar?
Po, meqë më larguan prej saj. Jap kurse me cikle, prania ime është episodike. Mjediset universitare gjithnjë e më pak po formojnë një elitë të aftë të hedhë dritë në rrugën e drejtë që duhet ndjekur nga njeriu i zakonshëm. Ngjajnë me një nga oborret e dikurshëm, duke parë rezultatet e kërkimit por disa prej tyre janë edhe financues. Ka shumë autocensurë, shumë formate të përsëritura me qëllim që ta kënaqin pushtetin.
Keni marrë kritika “jomediokre”?
Në epokën e mediokracisë nuk diskutohet më…mendimet ndjekin rrugët, preferojmë të marrin lajme ngushëlluese.
Përse duhet t’i druhemi mediokracisë?
Sepse të bën të vuash. U kërkon njerëzve të impenjuar në shërbimet publike të drejtojnë, sikur të bëhej fjalë për një organizatë private, kështu gjenden në konflikt sepse kishin një etikë ndryshe; u kërkon inxhinjerëve të projektojnë objekte që të thyhen, me qëllim që të zëvendësohen; u kërkon mjekëve të diagnostikojnë sëmundje që mund të bëhen vërtet të rrezikshme brenda 130 vjetëve…pa folur për manipulimin e konsumatorëve nga ana e marketingut.
Mediokracia është paradhoma e diktaturave, edhe të sheqerosura?
Diktatura është maniake, mediokracia është e mbrapshtë. Maniake, sepse diktatura nuk ka asnjë dyshim se cili duhet të vendosë. Hitleri, Musolini, Titoja ishin personazhe tejet të dukshëm, joshës që të shtypnin me fjalët e tyre; mediokracia është e mbrapshtë, sepse kërkon të tretë autoritetin te personat, duke bërë të mundur që ta brendësojnë dhe të sillen sikur të ishte një vullnet i tyre.
Anglishtja standard, a është gjuha zyrtare e mediokracisë?
Anglishtja e menaxhimit po, e vret anglishten. Është një vetëvrasje gjuhësore të flasësh këtë gjuhë, kur je anglofon. Nuk mund të mendohet bota në kompleksitetin e vet, apo çdo fenomen shoqëror, duke përdorur një fjalor që nuk është i dobishëm veç në organizatën private.
Teknologjia, rrjetet, kolosët e internetit, a dominon edhe aty mediokracia?
Duhet të imunizohemi nga një lloj leksiku që flet për progres, inovacion, ekselencë. Më intereson që t’i përdorin këto mjete, por duhet analizuar impakti që kanë tek mendimi, morali dhe politika. Një përdorim i qëllimshëm i rrjeteve sociale e të medias, p.sh gjatë zgjedhjeve, mund t’i bëjë njerëzit jashtëzakonisht të manipulueshëm.
I kundërti i mediokrit është supernjeriu, heroi?
Jo. Kundërvepruesi është mendimi kritik, sepse ia heq maskën ideologjisë që është një çështje interesi në dukje shkencore. Dhe pëson një trajtim kritiko-analitik një nocion që dikush dëshiron të na e ngulë në mendje, p.sh, pashmangshmëria e shitjes së armëve, ose i një autostrade të re.
Jeni më optimist për të ardhmen?
Çdo impenjim politik është në mes të dekurajimit dhe shpresës. Dhe ndodh pikërisht kur situata është dekurajuese dhe kërkohet guxim.
Përgatiti për botim Arjan Th. Kallço



