Memushaj tregon të ardhmen e tij

Memushaj tregon të ardhmen e tij

Peskara e Ledian Memushajt është skuadra e parë që zyrtarizoi rënien nga Seria A pas ngjitjes në sezonin e kaluar. Skuadra abruce nuk arriti dot të bëjë një sezon të mirë dhe sezonin e ardhshëm do të rikthehet sërish në Serinë B.

Peskara është duke zhvilluar një kampionat të dobët dhe me shumë mundësi në fund të sezonit do të humbasë edhe lojtarët e saj më të mirë. Një prej tyre është edhe mesfushori vlonjat, i cili ditën e fundit mësohet se ka patur interesim nga disa skuadra të Serisë A për shërbimet e tij.

Agjenti i Memushajt ka deklaruar se Bolonja, Empoli dhe Kievo janë të interesuara për shërbimet e tij, por vetë lojtari ngurron ta zbulojë të ardhmen. Në një prononcim për mediat lokale, kapiteni i Pescaras u pyet nëse skuadra e vitit të ardhshëm do të fillonte nga vetë ai, por përgjigja la të kuptohej se ai dëshiron të qëndrojë te “Delfinët” teksa u shpreh:

“Shpresoj që të ndodhë. Është e kotë të bëhen pyetje të tilla, pasi tani duhet të mbyllim kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme. Do të më pëlqente të qëndroja sërish, por nuk kam folur ende me Zemanin për këtë. Ka ende kohë”, deklaroi Ledian Memushaj.

Shpërndaje në: