Mero Baze: LDK-ja e ka humbur identitetin politik dhe rrezikon shkrirjen në Vetëvendosje
Opinionisti Mero Baze ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë partia më e dëmtuar nga zgjedhjet e fundit, si pasojë e humbjes së identitetit të saj politik. Sipas tij, dështimi i LDK-së nuk lidhet me fushatën e fundit, por me zgjedhjet e hershme brenda partisë dhe me drejtimin politik të Lumir Abdixhikut.
Baze thekson se gabimi kryesor i Abdixhikut ka filluar që në momentin kur u zgjodh kryetar i LDK-së pas zgjedhjeve të vitit 2021, kur partia pësoi një katastrofë elektorale dhe pjesë e saj u drejtua nga Vjosa Osmani dhe Vetëvendosje.
Ai kujton se vendimi për të votuar Vjosa Osmanin për presidente, nën parullën “LDK lufton për shtet dhe jo për pushtet”, në fakt e dëmtoi LDK-në duke ia dhënë votat një partie që sipas tij “lufton për pushtet e jo për shtet”.
Sipas Bazes, me këtë veprim LDK nga një parti udhëheqëse u shndërrua në suplement të Vetëvendosjes, duke humbur identitetin e saj historik që lidhej me ish-presidentin Ibrahim Rugova. Ai vlerëson se periudha e opozitës nën drejtimin e Abdixhikut ka qenë “vegjetative” dhe e ngjashme me një burokraci politike, duke mos reflektuar fuqinë reale të partisë.



