Mes emocioneve dhe drithërimave, Roma e Inter ndahen në paqe (VIDEO)

Mes emocioneve dhe drithërimave, Roma e Inter ndahen në paqe (VIDEO)

Stadio Olimpico ka qenë arena e kryendeshjes së javës së 14-të në Serie A, ku janë takuar Roma dhe Interi. Ndeshja u mbyll me rezultat 2-2.

Keita Balde, Ivan Perisic e Alessandro Florenzi, i patën rastet e tyre që nuk i konkretizuan në gjysmën e parë të lojës.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 37-të, kur pas një harkimi të Danilo D’Ambrosios në zonë, Keita Balde goditi me të parën për ta futur topin në rrjetë.

Në vazhdim, Samir Handanovic priti për mrekulli një gjuajtje të lirë të Aleksandar Kolarov dhe mysafirët shkuan në pushim me epërsi.

Mirëpo, vetëm disa minuta brenda pjesës së dytë (51′), Cengiz Under realizoi një gol shumë të bukur për t’i barazuar shifrat.

Pas një harkimi nga këndi të Marcelo Brozovic, kapiteni Mauro Icardi kërceu më lartë për të shënuar me kokë (66′) dhe për t’ia kthyer Interit avantazhin.

Porse, Brozovic e ndali topin me dorë në zonë dhe penalltinë e akorduar e konvertoi në gol Aleksandar Kolarov (74′).

Në minutat e mbetura, asnjëra nga skuadrat nuk ia doli që të shënonte, ashtu që i ndanë pikët nga kjo përballje.

Në xhiron e ardhshme, Nerëzzurrët zhvillojnë Derby d’Italia në shtëpi të Juventusit, derisa Giallorossët luajnë si mysafirë të Cagliarit.

Shpërndaje në: