Mesazhi i lamtumirës së Ancelottit për Real Madridin: Netët magjike në Bernabeu janë tashmë pjesë e historisë së futbollit

Mesazhi i lamtumirës së Ancelottit për Real Madridin: Netët magjike në Bernabeu janë tashmë pjesë e historisë së futbollit

Trajneri më i trofeshëm në histori të Real Madridit, Carlo Ancelotti, u ka dërguar një mesazh lamtumire tifozëve të Klubit Mbretëror, të cilin së shpejti do ta lërë për t’u bërë trajner i Brazilit.

Real Madridi njoftoi sot (e premte) gjatë ditës së ka arritur marrëveshje për ndërprerjen e bashkëpunimit me Ancelottin dhe tani trajneri italian i ka kushtuar një letër lamtumire klubit dhe të gjithëve që e kanë rrethuar gjatë kësaj kohe.

“Sot ne ndjekim përsëri rrugët tona të ndara. Sot e mbaj përsëri në zemër çdo moment që kam jetuar në këtë fazë të dytë të mrekullueshme si trajner i Real Madridit”.

“Kanë qenë vite të paharrueshme, një udhëtim i jashtëzakonshëm plot emocione, tituj dhe, mbi të gjitha, krenaria e përfaqësimit të kësaj steme”.

“Falënderoj Presidentin Florentino Perez, klubin, lojtarët e mi, bashkëpunëtorët e mi dhe, mbi të gjitha, tifozët unik që gjithmonë më kanë bërë të ndihem si një prej tyre”, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.

“Ajo që arritëm së bashku do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e madrilenëve, jo vetëm për shkak të fitoreve, por edhe për shkak të mënyrës se si i arritëm ato”.

“Netët magjike në Bernabeu janë tashmë pjesë e historisë së futbollit. Tani fillon një aventurë e re, por lidhja ime me Real Madridin është e përjetshme. Shihemi së shpejti, madrilenë!”, shkroi Ancelotti.

Në mandatin e tij të dytë në stolin e Realit nga viti 2021, Ancelotti fitoi dy tituj të La Ligës, një Kupë të Mbretit, dy Superkupa të Spanjës, dy Liga të Kampionëve, dy Superkupa të Evropës, Kupën e Botës për Klube dhe Kupën Ndërkontinentale të FIFA-s.

Në kohën e tij të parë, nga viti 2013 deri në vitin 2015, ai fitoi Kupën e Mbretit, Ligën e Kampionëve, Superkupën e Evropës dhe Kupën e Botës për Klube nga një herë./Periskopi/

Shpërndaje në: