Messi në bisedime me gjigantin turk, por ka një kusht sa i përket ndeshjeve jashtë shtëpisë
Lionel Messi po lidhet me një transferim befasues te Galatasaray, sipas raportimeve nga Turqia.
Ylli argjentinas, fitues i shumëfishtë i Topit të Artë, aktualisht po shijon një pushim pas sezonit të MLS, ku udhëhoqi Inter Miami drejt fitores së tyre të parë në Kupën MLS në vitin 2025.
Përballë mundësisë për t’u transferuar te gjiganti turk, presidenti i Galatasarayt, Dursun Ozbek, është shprehur optimist. Në një intervistë për beIN Sports dy muaj më parë ai tha se Galatasaray ka mundësi për ta transferuar Messin.
“Nuk mund të jetosh pa ëndërruar. A do ta shohim Messin të veshë fanellën e Galatasarayt një ditë? Situata jonë financiare na lejon të pyesim për Messin pa problem. Kemi rritur nivelin e suksesit tonë dhe kemi konsoliduar stabilitetin financiar”, deklaroi Ozbek.
Sipas gazetarit turk Levent Tuzemen, Galatasaray ka hapur tashmë bisedimet me Messin dhe përfaqësuesit e tij për një transferim potencial para mbylljes së afatit kalimtar dimëror, huazim katër mujor deri sa të filloj MLS.
Megjithatë, Messi thuhet se ka vendosur një kusht të veçantë: Nëse nënshkruan me klubin, ai kërkon të luajë vetëm në ndeshjet e Galatasarayt në shtëpi, duke shmangur udhëtimet për ndeshjet jashtë fushe në Superligën Turke.
Kandidati për president i Barcelonës zbulon planin strategjik për rikthimin e Messit
Galatasaray ka aktualisht gjashtë ndeshje të mbetura në shtëpi në ligë, një ndeshje në shtëpi në fazën e grupeve të Kupës së Turqisë dhe një ndeshje në shtëpi në Ligën e Kampionëve UEFA kundër Juventusit.
Ende nuk është e qartë nëse Messi do të jetë i gatshëm të luajë jashtë fushe në ndeshjen ndaj skuadrës italiane në Ligën e Kampionëve nëse transferimi realizohet.
Afati kalimtar i transferimeve në Turqi mbetet i hapur deri më 6 shkurt, që do të thotë se Galatasaray ka ende mundësi të finalizojë marrëveshjen.
Aktualisht, kampioni në fuqi kryeson tabelën me 49 pikë, tre më shumë se rivalët e Fenerbahçes, dhe kërkon të fitojë titullin e 26-të të ligës në historinë e klubit. /Telegrafi/




