Meta publikon nga burgu të ardhurat e tij: SPAK nuk ka asnjë provë për akuzat
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka deklaruar përmes një letre nga burgu se nuk ekziston asnjë provë nga SPAK në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij.
Letra u lexua në konferencën e kësaj të mërkure nga Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, ku Meta shpjegon se vajza e tij ka siguruar një analizë financiare që përfshin të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e tij nga viti 1995 deri në vitin 2023.
“Lidhur me çështjen e pasurisë, dua të theksoj se akuzat e prokurorëve janë të pavërteta dhe të bazuara në falsifikim. Vajza ka siguruar ekspertizën financiare që vërteton se pasuritë e mia gjatë këtyre viteve (1995-2023) janë 87 milionë lekë të reja. Ky hetim ndaj meje ka rezultat të qartë, 0 qindarkë e paligjshme nga unë dhe 0 metër katror e paligjshme. Nëse keni dyshime, mund të vini t’ju jap sqarime në burgun 313. Edhe në Rusi lejohet që të intervisohen politikanët e burgosur, prandaj nuk përbën asnjë lloj problem”, thuhet në letrën e Metës, të lexuar nga Blushi.
Ai gjithashtu ka përgënjeshtruar lidhjen e tij me çështjen CEZ-DIA, duke theksuar se kjo çështje është hetuar dy herë pa përfshirë emrin e tij dhe se shteti shqiptar ka përfituar financiarisht nga kjo procedurë.
Meta ka mohuar gjithashtu çdo shkelje ligjore në lidhje me lobimet, duke premtuar publikimin e kontratave dhe letrës porositëse për të sqaruar të vërtetën. Ai ka theksuar se hetimi mbi pasurinë e tij nuk ka rezultuar në asnjë mospërputhje ligjore dhe se çdo akuzë është e pavërtetë dhe e bazuar në falsifikim.
Avokati i Metës, Kujtim Cakrani, ka theksuar se klienti i tij ndodhet në izolim total në qelitë e 313 dhe se nuk ekziston asnjë provë që të lidhet me akuzat. Ai e ka cilësuar burgosjen e Metës si një sulm politik dhe ka kërkuar respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve të shtetit të së drejtës.
Cakrani ka deklaruar se Meta është i vetmi i burgosur në Republikë që lejohet të dalë për ajrim vetëm një herë në ditë, duke përshkruar trajtimin e tij si të paligjshëm dhe të padrejtë.
Mbrojtja e Metës, përfshirë avokatin Gylsen Zhllima, ka theksuar se në dosjen e çështjes CEZ-DIA nuk ekziston asnjë provë dhe se akuza ndaj tij është “korrupsion imagjinar”.
“Janë 1706 faqe për rastin e borxheve të CEZ-DIA hetimet, ka brenda emra që nuk kanë asnjë lidhje me zotin Meta. Nuk kanë as procedim penal dhe as hetim, por thjesht për të qenë brenda, pra janë aty për të thënë se ja, ka volum dosja, e të na lodhi ne si mbrojtje për ta studiuar“, tha ai.




