Miftaraj: Raporti Progresit “modest”, s’është treguar realiteti i vrazhdë në të cilin gjendet vendi

Miftaraj: Raporti Progresit “modest”, s’është treguar realiteti i vrazhdë në të cilin gjendet vendi

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se Raporti i Komisionit Evropian ka qenë një raport modest që ka kursyer institucionet ligjzbateuese në Kosovë, pasi që sipas tij, nuk ka treguar realitetin e vrazhdë në të cilin gjendet Republika e Kosovës.

Ai tha se Ministria e Drejtësisë, ka neglizhuar dy dokumente sa i përket miratimit dhe zbatimit të tyre, e që njëra prej tyre është Strategjia për Sundimin e Ligjit për të cilën tha se janë investuar me qindra mijëra euro nga bashkësia ndërkombëtare.

“Në vitin 2025 nuk ka pasur plan të punës për zbatimin e kësaj Strategjie, MD thuajse e ka lënë jetim këtë strategji, nuk ka pasur vullnet politik, dhe kur nuk ka plan të punës, atëherë si KGJK, si KPK edhe agjencitë tjera, e kanë problem me zbatu këtë Strategji”, theksoi Miftaraj.

Ai tha se Zyra e Kyreministrit ka dështuar në hartimin e Strategjisë kundër Korrupsionit.

“Një qeveri e cila ka ardhur në pushtet me promovimin dhe premtimin për luftimin- parandalimin e korrupsionit, ka dështuar që për 4 vite qeverisje në madat të plotë, po edhe tash më 2025 me muaj të tërë nuk ka qenë në gjendje që të miratojë këtë Strategji. Përkundrazi, ka pasur debat, ka pasur kritika, ka pasur tension në takimet e grupit punues, por edhe reagime të ashpra nga partnerët tanë ndërkombëtarë për mënyrën se si është tentu të miratohet kjo Strategji”, u shpreh Miftaraj.

Shpërndaje në: