Mimoza Kusari e pranon detyrën nga Rozeta Hajdari: Pas 15 viteve rikthehem në krye të Ministrisë së Tregtisë

Mimoza Kusari e pranon detyrën nga Rozeta Hajdari: Pas 15 viteve rikthehem në krye të Ministrisë së Tregtisë

Mimoza Kusari-Lila është kthyer në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë pas 15 vjetësh.

Ajo pranoi zyrtarisht detyrën nga ministrja e deritanishme, Rozeta Hajdari.

“Pas 15 vjetësh rikthehem në krye të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit”, ka shkruar Kusari-Lila në Facebook.

“Sot zyrtarisht pranova detyrën nga ministrja e deritashme dhe deputetja e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Rozeta Hajdari”.

“E bindur se me përkushtim, energji dhe vizion do të vazhdojmë drejt një ekonomie të qëndrueshme, me politika mbështetëse për sektorin privat, start-up-et, fuqizimin ekonomik të grave, forcimin dhe brendimin e produkteve ‘Made in Kosova’, si dhe ngritjen e eksportit dhe rritjen e produktivitetit të prodhimit kosovar”.

Ajo tha se do të përqendrohet veçanërisht në incenticizimin e bizneseve dhe promovimi i ekonomisë qarkore.

“Incentivizimi i bizneseve për të punuar me politika miqësore mjedisore, duke promovuar ekonominë qarkore, do të kenë fokusin tim të veçantë”.

“Vendi ynë pasurinë më të çmuar i ka të rejat dhe të rinjtë, të cilët me kreativitetin dhe talentin e tyre kanë zhvilluar dhe rritur sektorin e inovacionit – sektor që tashmë është pjesë e këtij dikasteri”.

“Dialogu publiko-privat dhe sinergjia e krijuar përmes ndërlidhjes dhe koordinimit të të gjithë sektorëve do të sjellin vlerë të shtuar për ekonominë e vendit”.

Shpërndaje në: