Ministri i Jashtëm i Belgjikës në Kosovë, do ta takojë Kurtin dhe Konjufcën
Ministri i Punëve të Jashtme të Belgjikës, Maxime Prevot, do të zhvillojë sot vizitë zyrtare në Kosovë, ku janë konfirmuar deri tani dy takime me krerët e shtetit.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, Prevot në orën 13:30 do të pritet nga kryeministri Albin Kurti.
Më pas, në orën 15:15, kryediplomati belg do të takohet me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
Pas takimit mes Konjufcës dhe Prevot-it, palët pritet të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.
Në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, ministri belg ka bërë të ditur se do të qëndrojë edhe në Mal të Zi, Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa Shqipërinë pritet ta vizitojë në një fazë tjetër, kur planifikohet edhe hapja e ambasadës belge në Tiranë.
Prevot ka theksuar se është e rëndësishme që për vendet e Ballkanit Perëndimor të ruhet një perspektivë e besueshme integrimi në Bashkimin Evropian.



