Ministria del me sqarim për përfituesit e projektit të energjisë

Ministria del me sqarim për përfituesit e projektit të energjisë

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka njoftuar se familjet që përfitojnë nga projekti “Green Energy Future” nuk do ta humbin të drejtën për asistencë sociale.

Sipas njoftimit, projekti financohet nga Qeveria e Danimarkës dhe zbatohet nga UNDP, në bashkëpunim me Ministria e Ekonomisë dhe Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

Ky projekt synon të ndihmojë familjet në nevojë përmes përmirësimit të kushteve të banimit dhe uljes së shpenzimeve për energji. Ndërhyrjet përfshijnë izolimin e shtëpive, zëvendësimin e dritareve dhe dyerve, si dhe përmirësimin e kulmeve dhe elementeve të tjera që rrisin efiçiencën energjetike.

Ministria thekson se përfitimi nga këto masa nuk konsiderohet ndryshim në gjendjen ekonomike të familjeve dhe, për rrjedhojë, nuk ndikon në të drejtën e tyre për të qenë pjesë e skemës së asistencës sociale, për aq kohë sa plotësohen kriteret përkatëse.

Po ashtu, familjet e përzgjedhura janë inkurajuar të bashkëpunojnë me qendrat përkatëse për kompletimin e dokumentacionit dhe realizimin e ndërhyrjeve, në mënyrë që të përfitojnë maksimalisht nga ky projekt që synon përmirësimin e mirëqenies dhe kushteve të jetesës.

Njoftimi i plotë: 

NJOFTIM
Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare njofton se familjet të cilat tashmë janë përfituese nga projekti “Green Energy Future”, i financuar nga Qeveria e Danimarkës dhe i zbatuar nga UNDP në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), nuk do të humbin të drejtën për asistencë sociale për shkak të përfitimit nga renovimi i shtëpive me masa të efiçiencës së energjisë.
Ky projekt synon të mbështesë familjet më të cenueshme përmes përmirësimit të kushteve të banimit dhe uljes së kostove të energjisë, duke përfshirë ndërhyrje si izolimi i shtëpive, ndërrimi i dritareve dhe dyerve, si dhe përmirësimi i kulmeve dhe elementeve të tjera të efiçiencës së energjisë.
Përfitimi nga këto masa është pjesë e një projekti zhvillimor dhe nuk konsiderohet ndryshim në gjendjen ekonomike të familjeve, prandaj nuk ndikon në të drejtën e tyre për të qenë pjesë e skemës së asistencës sociale përderisa familja vazhdon të plotësojë kriteret për të qenë pjesë e skemës.
Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare inkurajon familjet e përzgjedhura që të bashkëpunojnë me Qendrat për Punë Sociale dhe institucionet përkatëse për kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm dhe realizimin e ndërhyrjeve që do të përmirësojnë efikasitetin energjetik të shtëpive të tyre.
Ky bashkëpunim institucional synon të sigurojë që familjet në nevojë të përfitojnë nga masat që përmirësojnë mirëqenien dhe kushtet e tyre të jetesës.

Shpërndaje në: