Ministrja Bajrami kërkon ndihmën e ATK-së për të dhënat e atyre që mbetën pa punë nga pandemia
Ministrja e Ekonomisë dhe Transfereve, Hykmete Bajrami, përmes një konference për media pas një vizite me kryeministrin Avdullah Hoti në ATK, tha se ATK deri më tani ka kryer punë të mirë në krejt këtë situatë të pandemisë.
Bajrami përmendi edhe ndihmën që do të bëjnë për personat të cilët humbën vendin e tyre të punës për shkak të pandemisë.
Ajo tha se të dhënat apo identifikimi i këtyre personave bëhet vetëm me anë të ATK-së.
“Për të gjithë ata që kanë ngelur pa punë tre muaj për shkak të pandemisë, ne kemi ndarë buxhet për ta, ne duhet t’i identifikojmë ata, por këto të dhëna mund t’i saktësojmë vetëm përmes ATK-së, poi u bëj thirrje të gjitha bizneseve që t’I përditësojnë të dhënat e tyre në ATK”, tha Bajrami.
Ajo gjithashtu u ka bërë thirrje bizneseve që t’i paguajnë borxhet ndaj ATK-së, në mënyrë që të ndihmohet shteti dhe qytetarët në këtë situatë me COVID-19.
“Në anën tjetër iu bëj thirrje bizneseve që të shfrytëzojnë edhe këto pak ditë sa kanë mbetur që t’i paguajnë borxhet në ATK. Në për Ligjin e Rimëkëmbjen Ekonomike, kemi ndihmuar gastronominë, duke e ulu tatimin nga 18% në 8%”, përfundoi ajo./Periskopi/



