Ministrja franceze nën hetim për korrupsion, kontrollohen banesat dhe zyra e saj në Paris

Ministrja franceze nën hetim për korrupsion, kontrollohen banesat dhe zyra e saj në Paris

Ministrja franceze e Kulturës, Rachida Dati, është vënë nën hetim gjyqësor për korrupsion dhe trafik influence, pasi dyshohet se ka përfituar 299 mijë euro nga kompania energjetike GDF Suez gjatë kohës kur ishte deputete në Parlamentin Europian, pa deklaruar burimin e tyre.

Të enjten, më 18 dhjetor, autoritetet kryen kontrolle në banesat e saj, në Ministrinë e Kulturës dhe në bashkinë e njësisë administrative të 7-të të Parisit, ku Dati është kryetare. Hetimet janë hapur për korrupsion aktiv e pasiv, shpërdorim fondesh publike dhe pastrim parash.

Sipas mediave franceze, pagesat dyshohet se janë kryer përmes një skeme financiare të ndërlikuar, me dy transferta prej 149 mijë e 500 euro secila. Dati ka mohuar gjithmonë se ka punuar për GDF Suez, por dokumente të sekuestruara nga hetuesit përmendin shënime si “Dati Honoraire GDF Suez”.

Ministrja është gjithashtu e përfshirë në një tjetër proces gjyqësor për korrupsion, së bashku me ish-drejtorin e Renault-Nissan, Carlos Ghosn, që pritet të zhvillohet në shtator 2026.

Aktualisht, Rachida Dati ndodhet në Senat, ndërsa avokatët e saj nuk kanë komentuar mbi çështjen./Periskopi/

Shpërndaje në: