Misioni faktmbledhës i Këshillit të Evropës vjen në Prishtinë për të vlerësuar lirinë e medias

Misioni faktmbledhës i Këshillit të Evropës vjen në Prishtinë për të vlerësuar lirinë e medias

Një delegacion i organizatave partnere të Platformës së Këshilli i Evropës për Sigurinë e Gazetarëve do të zhvillojë më 24 dhe 25 mars një mision dyditor faktmbledhës në Prishtinë, me qëllim vlerësimin e sfidave që lidhen me lirinë e medias në Kosovë.

Gjatë këtij misioni, delegacioni do të diskutojë me përfaqësues të mediave dhe institucioneve për çështje të ndryshme që lidhen me funksionimin e medias, përfshirë presionin politik ndaj mediave, sigurinë e gazetarëve dhe kushtet e punës së tyre.

Po ashtu do të trajtohen zhvillimet legjislative që lidhen me median, përfshirë ligjin për media dhe amendamentet e propozuara.

Në fokus të diskutimeve pritet të jenë edhe çështjet që lidhen me funksionimin e transmetuesit publik Radio Televizioni i Kosovës dhe rolin e rregullatorit të medias Komisioni i Pavarur i Mediave. Delegacioni do të trajtojë gjithashtu qasjen e gazetarëve në informata publike, kërcënimet ligjore ndaj mediave, përfshirë paditë abuzive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP), si dhe propozimet për rikriminalizimin e shpifjes.

Pjesë e diskutimeve do të jetë edhe përafrimi i legjislacionit me standardet evropiane, përfshirë zbatimin e Akti Evropian për Lirinë e Medias (EMFA) dhe Akti për Shërbimet Digjitale (DSA).

Gjatë qëndrimit në Kosovë, delegacioni pritet të takohet me kryeministrin Albin Kurti, i cili tashmë ka konfirmuar takimin.

Po ashtu janë planifikuar takime me redaktorë dhe gazetarë, anëtarë të komisionit parlamentar për media, autoritete gjyqësore, përfaqësues të policisë, organe rregullatore dhe përfaqësues të transmetuesit publik.

Pas përfundimit të misionit, më 25 mars në Prishtinë do të mbahet një konferencë për media ku do të prezantohen gjetjet fillestare. Më pas pritet publikimi i një raporti me rekomandime për përmirësimin e lirisë së medias në Kosovë.

Në këtë mision marrin pjesë organizata ndërkombëtare të medias si European Centre for Press and Media Freedom, European Federation of Journalists, Reporters Without Borders, International Press Institute, Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa, Association of European Journalists dhe Index on Censorship.

Një mision i ngjashëm faktmbledhës nga kjo platformë ishte realizuar në Kosovë edhe në vitin 2022. Misioni mbështetet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës./Periskopi

Shpërndaje në: