Peci arsyeton mungesën e empatisë: Distancohet, por sulmon Hashim Thaçin, Behxhet Pacollin dhe mediat
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka reaguar pas videos ku në prezencën e tij në një lokal, një kamerier ka nxjerrë me forcë një vajzë të mitur të komuniteteve.
Peci rreth kësaj ka thënë se distancohet nga secili akt që përcjell dhunën ndaj qytetarëve të Kosovës, dhe sipas tij rreth kësaj video vëmendja ishte tek bashkë-biseduesi.
“Së pari, distancohem nga secili akt që përcjellë dhunë ndaj çdo qytetari të Republikës së Kosovës, e ndaj fëmijëve në veçanti, pa dallim feje, etnie a komuniteti. Së dyti, në mungesë të skandaleve në institucionin të cilin e udhëheqi si dhe për t’i zbehur sadopak sukseset në sektorin e bujqësisë, nuk janë të paktë ata që ditë e natë më ndjekin hap pas hapi duke xhiruar vazhdimisht, për të gjetur apo për ta shpikur ndonjë moment në të cilin unë kryej “veprime skandaloze”. I ka rastisur secilit që kur bisedon me tjetrin, vëmendja është vetëm tek bashkë-biseduesi e jo tek i gjithë lokali”, ka shkruar Peci.
Ai tutje ka thënë se nuk është përgjegjës për veprimet e asnjë individi të moshës madhore që janë të punësuar në një ka lokalet e qytetit.
“Nga ana tjetër, unë nuk jam përgjegjës për veprimet e asnjë individi të moshës madhore e sidomos të një të punësuari në një nga lokalet e qytetit; ku ndaj veprimeve si në video, distancohem plotësisht. Siç rëndom ndodh, së fundmi të koordinuar mirë në sulm ishin edhe disa “Rugovista” të Hashimit. Mirëpo kjo nuk do ta ndalë luftën time kundër krimit e korrupsionit sepse do të vazhdoj të punoj për shtet ligjor e dinjitoz. 62 milionë euro këtë vit nuk shkuan në xhepat e atyre që blinin xhipa të zinj por tek bujqit e vërtetë të Kosovës e kjo siç shihet po iu pengon disave ashtu siç po iu pengojnë 26 milionë euro të projekteve të granteve që nuk shkuan tek shokët e tyre apo edhe denoncimi i keqpërdorimeve të shumta me pronat e Ministrisë së Bujqësisë”, ka shkruar ai.
Ministri i Bujqësisë ka përmendur edhe ndihmën që Qeveria e tashnime ia ka dhënë komuniteteve jo-shumicë të cilët jetojnë në Kosovë.
“Përkrahja per komunitetet jo-shumicë nga Qeveria e tanishme është më e madhe se asnjëherë, ndërsa dita-ditës, organet e rendit bëjnë përpjekje t’i luftojnë dukuritë negative, përfshirë edhe nevojën e fëmijëve për kërkimlëmoshë”, ka shkruar Peci.
Ai tutje ka thënë se është detyrë institucioneve të largojnë nevojën e kërkimlëmoshës përmes promovimit të barazisë sociale, duke i reaguar edhe kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacollit, duke i thënë se nuk duhet të keqpërdoren publikisht rasatet e njerëzve me nevojë.
“Është detyrë e institucioneve të largojnë nevojën e kërkimlëmoshës përmes promovimit të barazisë sociale me theks në mbrojtjen e kategorive më të pambrojtura. Modeli i politikanëve dhe “biznesmenëve” oriental e lindorë sikur duan që t’i shohin ministrat duke ndarë publikisht lëmoshë. E nëse përveq edukatës familjare ka diçka që na ka bindur se nuk duhet të keqpërdoren publikisht rastet e njerëzve në nevojë, është modeli i politikbërjes së Behxhet Pacollit përmes kinse fondacionit të tij. Politikanit të Kremlinit dhe atyre të financuar nga burimet të ngjajshme i them që nuk do të kenë rast të zbulojnë “skandale” nga pozita që e ushtroj me shumë përgjegjësi, ndaj i mbeten të kujdestarojnë nëse unë do të jem aksidentalisht pjesë e ambienteve ku abuzohet me të tjerë, në këtë rast një fëmijë. Edhe në këtë rast, nëse mediat duan t’i pëngjajnë mediave profesionale do të duhej të kujdeseshin për mbulimin e fytyrës fëmijës që publikohet në video. Kjo vetëm e shpërfaqë para opinionit fytyrën e vërtetë të misionit të këtyre “mediave”, fytyrë të cilën ne që jemi pjesë e jetës publike ka kohë që e njohim”, ka shkruar Peci në Facebook.



