Moscertifikimi i kandidatëve të Listës Serbe, Behrami: Kurti ka vendosur të bëjë filma elektoral

Moscertifikimi i kandidatëve të Listës Serbe, Behrami: Kurti ka vendosur të bëjë filma elektoral

Moscertifikimi i kandidatëve të Listës Serbe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e parakohshme, ish-deputeti, njeherit kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami po e cilëson si “filma elektoral” nga Lëvizja Vetëvendosje, raporton EO.

Behrami, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se ekzistojnë rrugët të cilat e çojnë kryeministrin në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ta shpall Listën Serbe organizatë terroriste, por që sipas tij ndryshe nga kjo Kurti thotë ta ketë zgjedhur si mundësi për ta përdorur për vota.

“Lëvizja Vetëvendosje, në krye me Albin Kurtin, ka pasur mundësi që Listën Serbe ta shpall organizatë terroriste, njëjtë siç i ka shpallur Rojet e Urës në vitin 2023. Procedura ekziston: duhet vetëm një raport nga AKI, nga Ministria e Brendshme dhe nga Këshilli i Sigurisë; pastaj çështja shkon në Qeveri dhe Qeveria e shpall organizatë terroriste. Mirëpo, për këtë, Kurtit i mungon guximi. Prandaj, si plan B, ai ka vendosur të bëjë filma elektoralë, të cilët tashmë secili në Republikën e Kosovës i ka kuptuar. Edhe kjo lojë e demonizimit me Listën Serbe po ashtu ka përfunduar”, tha Behrami.

Behrami vlerëson se Kurti ka vendosur vija të kuqe mes partive politike dhe popullit por që gjitha këto thotë se do të bien poshtë me të ardh PDK në krye të shtetit.

“Vijat e kuqe që Kurti ka vendosur ndërmjet partive politike dhe ndërmjet popullit të Kosovës, duke i përçarë dhe demonizuar, PDK do t’i largojë në mes të shqiptarëve, në mes të partive shqiptare, dhe do t’i vendosë përballë Listës Serbe”, tha kandidati për deputet.

Sa i përket kërcënimeve nga Serbia ai th se edhe këtu duhet të bëhet më shumë punë sesa lojra politike, duke theksuar se ndër të tjerash duhet të forcohet ushtria e Kosovës.

“Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës është i qartë: këto janë lojëra politike elektorale në të cilat ne nuk dëshirojmë të marrim pjesë. Ne jemi të fokusuar në programin tonë, i cili u bë publik nga kryeministri i ardhshëm, Bedri Hamza, ku do të ketë zhvillim ekonomik më të madh, ngritje dhe rritje të pagave për të gjithë sektorët publikë, për policë, ushtarë, zjarrfikës dhe të gjitha ministritë e agjencitë e pavarura në mënyrë që ata të kenë paga të dinjitetshme. Natyrisht, ata duhet të vazhdojnë ta mbrojnë interesin nacional të Kosovës përballë një kërcënimi shumë të madh nga Serbia, e cila nuk ka hequr dorë nga terrori dhe dhuna për dominim, me sulme terroriste në Banjskë, në Ibër dhe në Lepenc. Kështu që mendoj se këto janë sfida me të cilat po përballemi sot dhe me të cilat edhe PDK do të përballet. Serbia asnjëherë nuk e ka ndryshuar agjendën luftënxitëse e gjenocidale me të cilën ka hyrë në luftën e Kosovës; çfarë ka ndryshuar është vetëm strategjia, por mjetet janë të njëjta: terrori, dhuna dhe tentimi për luftë në Kosovë. Sulmi terrorist në Banjskë dhe ai në Ibër–Lepenc janë dëshmi të gjalla se rreziku nga Serbia është real. Rreziku ekziston, prandaj Kosova duhet ta forcojë ushtrinë e saj, policinë e saj; duhet të ketë sigurim shëndetësor dhe mjete më të mira. FSK duhet të mobilizohet dhe duhet ta rikthejmë besimin te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si një nga garantuesit më të mëdhenj të sovranitetit të Kosovës. Duke forcuar FSK-në, policinë dhe marrëdhëniet me SHBA-në, NATO-n dhe Bashkimin Evropian, ne do t’i bëjmë ballë çdo sulmi terrorist të Serbisë, e cila përjetësisht do të mbetet armik i përbetuar i Kosovës”, tha ai.

Për çështjen e Listës Serbe se pse s’po e shpall organizatë terroriste, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryeministër në Kosovë, Albin Kurti në emisionin ‘Politiko’ në Kanal 10 mbrëmë (11.12.2024) ka thënë se nuk mund ta shpall organizatë terroriste Listën Serbe qeveria, por që është punë për gjykatën dhe prokurorinë.

“Lista Serbe është parti politike. Ne i kemi shpallur dy organizata terroriste, por ndërkombëtarët nuk i shpallën. Ata nuk i shpallin, dhe unë besoj se ne e kemi mirë. Qeveria nuk ka të drejt t’a shpall një parti politike Organizatë Terroriste. Për dy organizatat e tjera ne kishim organogram se kanë anëtarë terrorist. Por me Listën Serbe, nuk mundemi sepse Prokuroria dhe Gjykata duhet të sjell drejtësi”, tha Kurti.

Shpërndaje në: